Tregjet e punës japin një tablo të ndërlikuar, me kontraste të forta. Papunësia mbetet në nivele të ulëta historike në shumë ekonomi me të ardhura të larta. OECD raporton një normë të qëndrueshme 4.9%, por rritja e pagave ndryshon dukshëm sipas rajoneve, ndërsa Inteligjenca Artificiale (IA) po riformëson mundësitë e punës në nivele të ndryshme aftësish.
Rimëkëmbja pas pandemisë ecën me ritme të pabarabarta
Në korrik, Meksika shënoi papunësi 2.6%, ndërsa Afrika e Jugut 32.9%. Në Britani, punësimet ngadalësohen edhe pse pagat rriten 5% në vit, ndërsa Japonia ka papunësi minimale 2.5%, por pagat reale bien për muajin e gjashtë radhazi.
Brazili shënon paga rekord me papunësi në 5.8%, niveli më i ulët që nga 2012-ta. Në SHBA, papunësia mbetet në 4.2%, ndërsa rritja e pagave është ftohur.
Forcat që po riformësojnë peizazhin
Përtej shifrave kryesore, disa ndryshime të fuqishme po ndikojnë punën dhe pagat, sipas Raportit Future of Jobs 2025 të Forumit Ekonomik Botëror:
Demografia:
Plakja e popullsive në ekonomitë me të ardhura të larta po krijon mungesë punëtorësh, ndërsa popullsitë më të reja në rajonet me të ardhura më të ulëta po ‘përmbytin’ tregun e punës.
Teknologjia:
Aksesi dixhital dhe Inteligjenca Artificiale po transformojnë punën, duke rritur kërkesën për aftësi në të dhëna (big data) dhe siguri kibernetike.
Pasiguria ekonomike:
Kostot në rritje të jetesës dhe ngadalësimi i rritjes po ushtrojnë presion mbi pagat dhe krijimin e vendeve të reja pune, duke shtuar kërkesën për përshtatshmëri dhe qëndrueshmëri.
Tranzicioni i gjelbër:
Zbutja dhe përshtatja ndaj ndryshimeve klimatike po gjenerojnë kërkesë të re për inxhinierë të energjisë së rinovueshme, specialistë të automjeteve elektrike dhe role mjedisore, duke riformësuar ndërkohë industritë tradicionale.
Ekonomia dhe gjeografia:
Kufizimet tregtare, subvencionet dhe politikat industriale që ndryshojnë po i detyrojnë kompanitë të rishqyrtojnë zinxhirët e furnizimit, duke nxitur kërkesë për siguri, siguri kibernetike dhe aftësi që lidhen me qëndrueshmërinë.
Për vetë punëtorët, puna në distancë dhe ajo fleksibël mbeten prioritete, duke riformësuar mënyrën dhe vendin se si njerëzit marrin pjesë në tregun e punës. Megjithatë, vetë pjesëmarrja është e pabarabartë. Në disa ekonomi, papunësia e ulët fsheh realitetin se më pak njerëz janë në punë në përgjithësi, veçanërisht gratë, të rinjtë dhe punëtorët e moshuar, sipas kërkimeve të McKinsey and Company.
Një dimension i nënvlerësuar janë normat e pjesëmarrjes në forcat e punës, që tregojnë se kush ka dalë plotësisht nga tregu. Në SHBA, kjo normë ka rënë në 62.2% për shkak të politikave të emigracionit dhe daljes në pension të brezit “baby boomers”.
Në Zelandën e Re mbetet në 70.5%, megjithë një ulje të lehtë. Papunësia e ulët e kombinuar me pjesëmarrje të dobët do të thotë një bazë më e vogël punëtorësh dhe mungesë aftësish.
Sipas WEF, 42% e drejtuesve të burimeve njerëzore presin turbullira të mëtejshme. Shumë kompani po shtyjnë punësimet apo ristrukturimet, por njohin nevojën për transformim afatgjatë.
Prioritetet kryesore janë: riformulimi i roleve për integrimin e IA, forcimi i kulturës së punës për të mbajtur talentin dhe përdorimi i përgjegjshëm i teknologjisë.
Tregjet e punës në vitin 2025 nuk maten vetëm me normat e papunësisë. Rritja e pagave, pjesëmarrja, demografia dhe teknologjia po krijojnë realitete shumë të ndryshme sipas rajoneve e sektorëve./kb