Në fund të shekullit XVI, Mesdheu ishte arenë përplasjeje mes fuqive të mëdha detare: Perandorisë Osmane dhe flotës së krishterë spanjolle, franceze e italiane. Pikërisht në këtë kohë, detet ishin të mbushura me piratë dhe kapedanë që luftonin në emër të sulltanit apo të mbretërve evropianë, por shpesh edhe për interesat e tyre personale.
Një ndër figurat më të njohura të piraterisë osmane në Mesdhe ishte Arnaut Mami (i njohur edhe si Mahomed el Arnauti), një shqiptar i dalë nga brigjet e Adriatikut, i cili u bë komandant i njohur i flotës së Algjerit, atëherë nën sundimin osman. “Arnaut” në gjuhën osmane do të thoshte “shqiptar”, prandaj edhe mbiemri i tij lidhet me origjinën.
Më 1575, dy vëllezër spanjollë, Miguel de Servantes – i cili më vonë do të bëhej autor i romanit të famshëm Don Kishoti – dhe Rodrigo Servantes, po ktheheshin me anije nga Italia drejt Spanjës, pas shërbimit ushtarak në ushtrinë e Mbretit Filip II. Në bordin e anijes mbanin edhe letra rekomandimi nga gjeneralë dhe komandantë të lartë, ku vlerësohej trimëria e Servantes-it në betejën e Lepantos (1571), ku kishte luftuar kundër osmanëve dhe ku kishte mbetur i plagosur rëndë në krah.
Aty, pranë brigjeve të Katalonjës, anija e tyre u sulmua nga skuadra detare e komanduar nga Arnaut Mami. Pas një beteje të shkurtër, anija spanjolle u kap dhe pasagjerët u morën robër. Mes tyre, më i rëndësishmi ishte Miguel de Servantes. Për shkak të letrave të rekomandimit që mbante me vete dhe reputacionit të tij si ushtarak, piratët menduan se kishin kapur një person me peshë të madhe dhe vendosën një shpërblim shumë të lartë për lirimin e tij: 500 arinë – një shumë e jashtëzakonshme për kohën.
Servantes u dërgua në Algjer, ku Arnaut Mami dhe pas tij Hasan Pasha e mbajtën të burgosur për pesë vjet (1575–1580). Gjatë kësaj kohe, Servantes bëri disa përpjekje për arratisje, të gjitha të dështuara. Sidoqoftë, gjatë robërisë ai mbeti figurë qendrore mes të burgosurve, duke treguar guxim dhe dinjitet, çka i dha respekt edhe nga kundërshtarët e tij.
Në vitin 1580, më në fund, familja e tij së bashku me Murgjit Trinitarë (një urdhër fetar që merrej me shpërblime për të liruar robërit e krishterë nga duart e piratëve) arritën të mblidhnin shumën e kërkuar dhe e liruan Servantes-in. Ai u kthye në Spanjë, ku do të vazhdonte jetën mes vështirësive ekonomike, derisa të hynte në historinë e letërsisë botërore me kryeveprën e tij Don Kishoti i Mançës.
Kështu, një pirat shqiptar, Arnaut Mami, mbetet i lidhur pazgjidhshmërisht me jetën e shkrimtarit më të madh spanjoll të të gjitha kohërave. Pa ato vite robërie në Algjer, ndoshta Servantes nuk do të kishte fituar atë përvojë të thellë mbi natyrën njerëzore, vuajtjen, lirinë dhe shpresën, që e gjejmë të përshkruar aq fuqishëm në veprën e tij.
Përgatiti: L.Veizi