Deputeti republikan, Fatmir Mediu ka komentuar zgjedhjet e parakohshme që pritet të zhvillohen në Tiranë pas shkarkimit të Erion Veliajt.
Gjatë intervistës në “News24”, Mediu është shprehur se ka konsideratë për dy emrat e lakuar nga PD-ja, Ilir Alimehmeti dhe Jorida Tabaku, por theksoi se kandidati i opozitës duhet të jetë një figurë gjithëpërfshirëse.
“Duhet t’i përfshijë qytetarët kundër së keqes, ndaj duhet të gjejmë një kandidat gjithpërfshirës. Duhet të flasim për një kandidaturë gjithëpërfshirëse. Duhet të jenë njerëz që e tejkalojnë kostumin politik, të jenë pranë qytetarëve. Për Tabakun dhe Alimehmetin kam konsideratë, por do lokalizohej më shumë situata. Kam shumë konsideratë për ata, por me kohën e shkurtër që kemi, nëse ka produkte që dalin nga konsensusi, s’do të arrijmë atje ku duhet. Ideja për të konkurruar tregon një dëshirë për vazhduar betejën. Nëse PD ka hapur një fazë negocimi, është koha.
Për fatin e keq jemi në një moment ku vendos një njeri. Personalisht nuk kam vlerësim për Erion Veliajn nga pikëpamja njerëzore, por dhe nga ajo e politikës. Elementët që ia garanton kushtetuta dhe ligji duhet t’i gëzojë. Siguria juridike është me rëndësi. Nuk bëhen proceset as në media, as në këshillat e lagjeve, por se si e përcakton ligji dhe pushteti. Ky është një proces për interesa të konsolidimit të pushtetet të një njeri, siç është Rama. Mendoj se opozita, me gjithë kushtet e një farse elektorale, që u konstatua dhe nga OSBE/ODHIR, është e detyruar që të përballet me zgjedhjet”, tha Fatmir Mediu.
Pavarësisht se opozita ende nuk e ka gati emrin e kandidatit, në krahun tjetër, kryeministri Edi Rama ka nisur punën duke prezantuar Ogerta Manastirliu si zëvendësuesen e Erion Veliajt në bashkinë e kryeqytetit. m.p.