Ishte një nga disqet e para të muzikës dance të komunitetit britaniko-aziatik, por shpërndarja e dobët bëri që të zhdukej për dekada. Tani, me ribotimin e tij të afërt, tingulli origjinal synth-folk i Kuljit Bhamra dhe nënës së tij Mohinder më në fund po merr vlerësimin e merituar.
Nga Ammar Kalia
“Punjabi Disco është si kupë e shenjtë e muzikës britaniko-aziatike,” thotë DJ dhe drejtuesi i një label-i, Raghav Mani. “Është një mrekulli që ky disk ekziston. Për dekada ka qenë i humbur për botën, por tani mund ta dëgjojmë në gjithë lavdinë e tij – albumi që solli në jetë pistën e vallëzimit britaniko-aziatik.”
Regjistruar në Londër në vitin 1982, albumi me nëntë këngë kombinon meloditë e forta të sintetizatorit dhe ritmet e fuqishme të drum machine të producentit Kuljit Bhamra, me këngët në gjuhën punxhabi të nënës së tij të trajnuar në muzikë klasike, Mohinder Kaur Bhamra. Pjesërisht një eksperiment i hershëm acid house, pjesërisht traditë veriore indiane dhe pjesërisht disco-funk, ky disk ishte një pararendës futurist: tingujt fusion të muzikës bhangra sapo kishin filluar; muzika e “underground”-it aziatik që do të hynte në mainstream ishte ende më shumë se një dekadë larg; dhe diaspora britaniko-aziatike kryesisht kufizohej të takohej në dasma dhe aktivitete komunitare, jo në diskoteka.
I kufizuar vetëm në 500 kopje, Punjabi Disco u zhduk nga qarkullimi pothuajse menjëherë pas publikimit, duke e kthyer Mohinderin sërish te këndimi në dasmat sikhe dhe Kuljitin te prodhimi i disqeve bhangra për grupe si Heera. Në dekadat që pasuan, kopje të rralla dolën në internet për mijëra dollarë, por përndryshe albumi u zhduk në harresë. Derisa Mani hasi rastësisht në një gjurmë të re.
“Kur je koleksionist disqesh, mund të zhvillosh atë ndjesinë e ngopjes, sikur i ke parë e dëgjuar të gjitha,” thotë ai. “Por, në vitin 2022, miku im Massimo më telefonoi aq i emocionuar për një zbulim të ri, saqë m’u desh ta dëgjoja drejtpërdrejt në telefon. Edhe nëpërmjet linjës, kuptova që ishte diçka unike dhe e papërshkrueshme në tingullin e saj. Ai tha se quhej Punjabi Disco dhe se sapo kishte blerë kopjen e fundit ekzistuese, direkt nga Kuljiti.”
Mani dhe partneri i tij i biznesit, Filip Nikolic, vendosën menjëherë të shihnin nëse Kuljit ishte i gatshëm të ribotonte albumin në label-in e tyre arkivor Naya Beat.
“Ky ishte një proces trevjeçar, nga dëgjimi i parë i diskut deri tek momenti kur Kuljiti gjeti shiritat origjinalë master në shtëpinë e tij dhe i digjitalizoi përpara se të shkatërroheshin plotësisht,” tregon Mani. “Gjatë asaj kohe, zbuluam se jo vetëm është një album me tingull të jashtëzakonshëm që më shumë njerëz duhet ta dëgjojnë, por gjithashtu ka pas vetes një histori të pabesueshme rreth krijimit të tij.”
Përgatiti për botim: L.Veizi