Këlliçi në delir/ “52% e votave mund të çojnë në fitoren e Tiranës”

Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka shtrirë dorën për bashkëpunim ndaj subjekteve të tjera opozitare në prag të zgjedhjeve të pjesshme lokale, që pritet të mbahen në Tiranë dhe disa bashki të tjera.

Në një intervistë për emisionin ‘NewsRoom’ në A2 CNN, Këlliçi theksoi se zgjedhjet e 11 majit treguan se i gjithë kampi opozitar ka marrë rreth 52% të votave, një tregues që sipas tij, mund të shfrytëzohet për të siguruar fitoren në kryeqytet.

“Kandidati i ardhshëm i opozitës duhet të ketë një profil të fortë politik dhe konsensual, për t’i dhënë një mesazh të qartë qytetarëve dhe për të krijuar kohezion më të gjerë sesa vetëm brenda Partisë Demokratike”, tha Këlliçi.

Ai gjithashtu kritikoi ashpër shtabin elektoral të Erion Veliajt, duke deklaruar se ai ishte “shtab kriminal” dhe se disa nga drejtuesit e tij tashmë ndodhen në burg për **afera korruptive në Bashkinë e Tiranës”.

Këlliçi nënvizoi se opozita duhet të gjejë modalitetet dhe profilet e duhura të kandidatëve për t’u përballur me Ogerta Manastirliun, sapo të shpallet data zyrtare e zgjedhjeve nga presidenti.

Deputeti përmendi gjithashtu se momenti aktual për opozitën është një “moment i artë” për të përdorur përparësinë e votave dhe për të nxjerrë në krye të garës një kandidat të fuqishëm dhe konsensual./E.S