KFOR: Nuk kemi identifikuar shkelje me dronë në Kosovë

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka reaguar për Euronews Albania pas raportimeve mbi përdorimin e dronëve në zonat veriore të vendit, duke theksuar se nuk ka evidentuar ndonjë aktivitet që të cenojë sigurinë në territorin e Kosovës.

“KFOR nuk ka identifikuar ndonjë shkelje me dronë që të cenojë sigurinë e Kosovës. Misioni vazhdon të kryejë aktivitetet e tij të përditshme në përputhje me mandatin nga Kombet e Bashkuara,” thuhet në përgjigjen zyrtare për Euronews Albania.

Në deklaratë theksohet se KFOR mbetet në kontakt të ngushtë me organizatat e sigurisë në Kosovë, si dhe me Forcat e Armatosura të Serbisë.

“KFOR mbetet në kontakt të ngushtë me organizatat e sigurisë së Kosovës dhe me Forcat e Armatosura të Serbisë. Ai vazhdon aktivitetet e tij të përditshme, duke kontribuar në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të qetë për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë, në përputhje me mandatin e tij të kahmotshëm nga OKB-ja, në çdo kohë, në mënyrë të paanshme dhe në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), secili në rolin e vet si reagues të sigurisë.”

Reagimi vjen në një kohë tensionesh të herëpashershme në veri të Kosovës, ku autoritetet vendase kanë raportuar për praninë e dronëve të paidentifikuar në hapësirat ajrore pranë objekteve të sigurisë. m.p.