Problemi i karteleve shqiptare mbërrin edhe në foltoren e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Ndërsa Edi Rama nuk shkoi në këtë asamble siç ka bërë zakonisht vitet e fundit, problemi i krimit të organizuar dhe trafikut të drogës ka qenë një temë kryesore.
Ministrja e Jashtme e Ekuadorit, Gabriela Sommerfeld tha se duhte reformuar sistemi multilateral për të adresuar çështjet e krimit të organizuar transnacional. Ajo tha se kjo çështje përbvën rrezik për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.
“Multilateralizmi duhet të evoluojë për t’iu përgjigjur kërkesave aktuale të njerëzve dhe për t’u përballur me kërcënimet e reja”, tha Sommerfeld.
Ministrja e jashtme ekuadoriane paralajmëroi se këto organizata kriminale “shkaktojnë pasoja ekonomike, politike dhe sociale të ngjashme me ato të konflikteve të armatosura ndërkombëtare”. “Nuk po flasim për bandat lokale, por përkundrazi për rrjetet dhe zinxhirët logjistikë ndërkombëtarë që lëvizin mijëra ton drogë, shfrytëzojnë minierat e paligjshme, trafikojnë armë, njerëz dhe madje edhe organe njerëzore”, denoncoi ajo nga Nju Jorku.
Sommerfeld theksoi se Noboa e shpalli Ekuadorin një “konflikt të armatosur jo-ndërkombëtar” në fillim të vitit 2024, me qëllim frenimin e përshkallëzimit të paparë të dhunës të lidhur me krimin e organizuar.
Ky vendim çoi në klasifikimin e bandave kriminale si grupe terroriste, duke përfshirë organizatat e lidhura me kartelet meksikane Sinaloa dhe Jalisco Nueva Generación dhe mafien shqiptare në Evropë.
Ministrja deklaroi gjithashtu se vendi ka bërë “përpjekje të jashtëzakonshme”, duke arritur një rekord prej 294 tonë drogë të konfiskuar në vitin 2023.
Sommerfeld përmendi gjithashtu referendumin e promovuar nga kreu i shtetit për të reformuar Kushtetutën, duke përfshirë mundësinë e lejimit të krijimit të bazave ushtarake të huaja. “Reforma do t’u lejojë vendeve të tjera të ofrojnë pika strategjike që mund të përdoren për të kontrolluar dhe monitoruar aktivitetet kriminale në dobi të paqes dhe sigurisë ndërkombëtare”./kb