“Qeveria investon në sport/ 4 stadiume të reja dhe akademi ndërkombëtare

Gjatë dekadës së fundit, sporti në Shqipëri ka kaluar nga një sektor i lënë pas dore në një shtyllë të zhvillimit social dhe shëndetësor, me investime të konsiderueshme në infrastrukturë dhe rritje të mundësive për fëmijët dhe të rinjtë.

Qeveria ka ndërtuar 150 terrene sportive në shkolla dhe komunitete, ndërsa stadiumet si Air Albania, Elbasan Arena, dhe ato në Shkodër e Kukës përmbushin standardet FIFA/UEFA. Programi i ekipeve sportive në shkolla ka rezultuar një histori suksesi dhe pritet të zgjerohen investimet dhe numri i disiplinave sportive.

Në programin qeverisës 2025-2029, sporti trajtohet si politikë publike horizontale që mbështet shëndetin, edukimin dhe kohezionin shoqëror, me fokus në:

Rritjen e pjesëmarrjes masive dhe zhvillimin e talentit me infrastrukturë të standardeve ndërkombëtare;

Sigurimin e përfshirjes së barabartë, duke përfshirë persona me aftësi të kufizuara;

Ndërtimin e 4 stadiumeve të reja në Tiranë, Durrës, Korçë dhe Vlorë për sportin profesionist;

Themeli i akademive sportive sipas modeleve ndërkombëtare si Manchester City, Rafael Nadal dhe NBA për zbulimin e talenteve;

Ndërtimin e 200 palestrave dhe terreneve të reja sportive në shkolla, duke garantuar akses për çdo nxënës;

Zgjerimin e programit “Ekipet Sportive në Shkolla” për të aktivizuar më shumë se 20 mijë nxënës;

Krijimin e Komitetit Paraolimpik Kombëtar Shqiptar dhe Olimpikut Special Shqiptar, me mbështetje për sportistët elitarë dhe federatat në garat ndërkombëtare;

Ndërtimin e infrastrukturës për personat me aftësi të kufizuara për pjesëmarrje në Olimpiadat Speciale dhe Paraolimpike.

Programi synon gjithashtu që Shqipëria të mikpresë ngjarje sportive ndërkombëtare, duke u bërë një qendër rajonale e sportit dhe duke promovuar potencialet ekonomike, turistike dhe kulturore të vendit.