Pagesat e para përmes sistemit europian të pagesave SEPA do të nisin më 7 tetor 2025, duke ofruar qytetarëve dhe bizneseve mundësi për transaksione më të shpejta dhe me komisione disa herë më të ulëta sesa ato aktualisht.
Në një intervistë për emisionin “Sheshi i Dollarit” në ABC News, Luljeta Minxhozi, zëvendësguvernatore e Bankës së Shqipërisë, theksoi rëndësinë e këtij hapit për zhvillimin e sistemit të pagesave në vend. Ajo sqaroi se anëtarësimi në SEPA është rezultat i një procesi disa-vjeçar, i nisur me transpozimin e direktivës europiane PSD2 në vitin 2017 dhe harmonizimin e të gjithë sistemit të pagesave në përputhje me standardet europiane.
“Nëntori i vitit të kaluar ishte një moment shumë i rëndësishëm sepse juridikisht, ne u bëmë anëtarë të zonës SEPA. Hapi i radhës është operacionalizimi i të gjitha aktiviteteve të pagesave në kohë reale, që bizneset dhe qytetarët të përfitojnë transaksione të shpejta, të sigurta dhe me kosto më të ulët,” tha Minxhozi.
Ky zhvillim e afron Shqipërinë drejt integrimit të plotë në tregjet europiane të pagesave, duke rritur efikasitetin e sistemit financiar dhe duke ulur kostot për qytetarët dhe bizneset që kryejnë transaksione ndërkombëtare brenda Europës.