Tregu i pasurive të patundshme në Shqipëri po ‘digjet’ nga investimet e huaja

Investimet e huaja në pasuri të paluajtshme në Shqipëri kanë arritur nivele rekord gjatë gjysmës së parë të vitit 2025, duke shënuar një rritje prej 38% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Sipas të dhënave të publikuara nga Banka e Shqipërisë, shtetasit e huaj shpenzuan 253 milionë euro për të blerë prona, përfshirë apartamente, toka dhe njësitë e bizneseve, duke vendosur një shifër historike për gjysmën e parë të vitit.

Investimet u përqendruan kryesisht në tremujorin e dytë, ku vlera arriti 149 milionë euro, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë për këtë periudhë. Krahasuar me gjysmën e parë të vitit 2024, kjo përfaqëson një rritje prej rreth 80 milionë euro, duke reflektuar besimin e investitorëve të huaj në tregun shqiptar.

Ekspertët e ekonomisë dhe investimeve vlerësojnë se ky trend mund të vazhdojë deri në fund të vitit, duke mundësuar që investimet totale të kapin gati gjysmë miliardë euro deri në dhjetor. Sektori i pasurive të paluajtshme po bëhet një nga motorët kryesorë të fluksit të kapitalit të huaj në vend.