Trump nis hetim federal ndaj Fondacionit Soros

Administrata e Presidentit amerikan Donald Trump ka ndërmarrë një ofensivë të re ligjore ndaj Fondacionit Shoqëria e Hapur, e financuar nga miliarderi George Soros.

Sipas një raportimi të New York Times, Zëvendës Prokurori i Përgjithshëm Todd Blanche ka urdhëruar të paktën gjashtë zyra të prokurorëve federalë në Kaliforni, Nju Jork, Uashington D.C., Çikago, Detroit dhe Maryland që të shqyrtojnë pretendimet ndaj degëve të fondacionit Open Society.

Fondacioni akuzohet për një sërë shkeljesh të rënda, përfshirë mbështetje të terrorizmit, mashtrim financiar dhe zhvatje. Si bazë për nisjen e hetimeve përmendet një raport i organizatës konservatore Capital Research Center, i cili pretendon se Fondacioni Shoqëria e Hapur ka financuar me mbi 80 milionë dollarë grupe të dyshuara për lidhje me dhunë ose terrorizëm.

Një nga rastet e përmendura është ai i grupit palestinez për të drejtat e njeriut al-Haq, që në vitin 2022 u shpall nga Izraeli si mbulesë për aktivitete terroriste.

Në një reagim zyrtar, Fondacioni Shoqëria e Hapur i ka hedhur poshtë akuzat, duke i cilësuar si “politikisht të motivuara dhe të rrezikshme për lirinë e fjalës”. “Kur pushteti keqpërdoret për të sulmuar disa, në rrezik futen të drejtat e të gjithëve”, thuhet në deklaratë.

Presidenti Trump ka qenë vazhdimisht kritik ndaj George Soros, të cilin e ka akuzuar për financim të “kaosit politik” dhe mbështetje të kundërshtarëve të tij. Ai ka bërë thirrje të përsëritura për hetimin dhe ndëshkimin e miliarderit hungarezo-amerikan. m.p.