Kassel, një qiell i mbuluar nga zjarri
Nga Leonard Veizi
Gjithçka ndodhi të bënte të mendoje se ajo u kthye në arenën e një beteje titanësh. Në vjeshtën e vitit 1944, qielli i Gjermanisë u përjetoi një beteje të tillë që edhe sot kujtohet si një nga përplasjet më të mëdha ajrore mbi këtë vend. Në Kassel, qytet industrial dhe nyje strategjike e makinerisë së luftës naziste, do të zhvillohej një skenë apokaliptike ku retë e zeza të tymit u përzien me kërcitjet e motorëve, britmat njerëzore dhe me flakët që përpinë gjithçka poshtë. Në qendër të kësaj përplasjeje gjigante ishte fabrika e “Henschel und Sohn”, prodhuesja kryesore e tankeve të rënda Tiger dhe Panther, që mbanin gjallë makinerinë e luftës naziste në të dy frontet. Në këtë mënyrë Kasseli, përjetoi atë që historia do ta njihte si Beteja Ajrore e Kasselit.
Misioni
Më 27 shtator 1944, afërsisht 500 avionë amerikanë morën pjesë në këtë mision: rreth 250 bombardues të rëndë B-24 “Liberator” dhe B-17 “Flying Fortress”, të shoqëruar nga qindra avionë luftarakë P-51 “Mustang”. Objektivi ishte i qartë – të goditej në zemër kapaciteti industrial gjerman dhe t’i shkëputej ushtrisë naziste burimi më i rëndësishëm i tankeve dhe pjesëve rezervë.
Por gjermanët ishin të përgatitur. Luftwaffe ngriti në ajër një numër të madh avionësh luftarakë Messerschmitt Bf 109 dhe Focke-Wulf Fw 190, duke i bërë bombarduesit të kalonin nëpër një mur zjarri.
Humbjet
Çmimi i kësaj përplasjeje ishte i tmerrshëm.
Amerikanët humbën 32 avionë, me 118 pilotë të vrarë dhe rreth 120 të tjerë që u vranë gjatë parashutimit ose ranë robër në tokë.
Gjermanët pësuan humbjen e 29 avionëve dhe 18 pilotëve, pa llogaritur viktimat e shumta në fabrikë dhe në radhët e civilëve të Kasselit.
Qyteti u dogj nga bombardimet, fabrikat e Henschel-it u rrënuan dhe kapaciteti prodhues i tankeve u godit rëndë.
Pasojat
Kjo betejë nuk ishte vetëm një përplasje gjigante ajrore; ajo shënoi një kthesë strategjike. Shkatërrimi i fabrikës së Kasselit dobësoi ndjeshëm prodhimin gjerman të tankeve Tiger dhe Panther, që ishin shpresa e fundit e Wehrmacht-it për të frenuar përparimin aleat.
Në frontin lindor, mungesa e tankeve të reja u ndje menjëherë, duke lehtësuar ofensivën e Ushtrisë së Kuqe drejt Polonisë dhe më pas Berlinit.
Në frontin perëndimor, forcat amerikane dhe britanike përfituan nga dobësimi i kundërshtarit në betejat pas zbarkimit në Normandi dhe në avancimin drejt Gjermanisë.
Kështu, Beteja e Kasselit mbetet jo vetëm përplasja ajrore më e madhe mbi Gjermani, por edhe një nga goditjet vendimtare që shpejtuan kolapsin e makinerisë naziste dhe rrugën drejt përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.