Nga Leonard Veizi
Ndonjëherë, dhimbja nuk flet me fjalë, por me një heshtje të thellë që të ndryshon gjithë botën. Në atë heshtje, mund të ndodhë që të humbasësh toruan, por mund të ndodhë gjithashtu që të gjesh një dritare drejt një universi tjetër. Pikërisht këtu, në atë zonë të brishtë mes dëshpërimit dhe shpresës, lind historia e titulluar “Djali që mund të fluturonte”. Kjo nuk është vetëm një përrallë për një djalë që mund të ngrihet në ajër, por një metaforë e fuqishme për secilin prej nesh që ka ndjerë peshën e humbjes. Është një histori që eksploron sesi ëndrrat tona më të çmendura mund të bëhen drita që na udhëheq, kur gjithçka tjetër duket e errët. Ky film është një thirrje për të besuar se edhe pas stuhive më të forta, qielli mbi kokën tonë mund të jetë i ylbertë…
…”Djali që mund të fluturonte”, – apo siç njihet në orgjinal: “Boy Who Could Fly” – është një film dramë fantastiko-fantazi amerikan i vitit 1986, i shkruar dhe i drejtuar nga Nik Kastël. Ai u prodhua nga “Lorimar Productions” për “20th Century Fox” dhe u publikua në kinema më 15 gusht 1986. Filmi përshkon rrugëtimin e dy adoleshentëve që përballen me humbjen dhe gjejnë mënyra për të mbijetuar emocionalisht në botën e tyre të pasigurt.
Në qendër të tregimit janë Erik Gib, një djalë me autizëm që ka humbur të dy prindërit e tij në një aksident ajror, dhe Mili Maikëlsën, një 14-vjeçare që sapo ka humbur babanë e saj të sëmurë terminalisht. Kur familja e Milit vendoset pranë banesës së Erik-ut, lind një miqësi e brishtë, e cila i ndihmon ata të përballen me dhimbjen dhe të gjejnë një mënyrë për të shprehur shpresën e humbur.
Në film luajnë: Lusi Deakins si Mili Maikëlsën, Xhej Underuud si Erik Gibb, Boni Bedelia si nëna e Milit, Fred Sevidzh si vëllai i vogël i Milit, Kolen Dëvhëst si mësuesja, Fred Guinë si xhaxhai i Erik-ut, dhe Xhanet MakLaklan dhe Mindi Kon në role mbështetëse. Performancat e tyre japin thellësi emocionale dhe pasqyrojnë mënyrën sesi njerëzit e vegjël përpiqen të kuptojnë dhe përballojnë tragjedinë.
Historia ndërthur realitetin me fantazinë. Erik ka një fiksim të pazakontë: dëshirën për të fluturuar. Ai kalon kohë të tëra mbi çati, duke soditur qiellin, si një simbol i dëshirës për arratisje nga dhimbja që e rrethon. Mili, me kujdesin dhe ndjeshmërinë e saj, përpiqet ta kuptojë botën e tij të veçantë dhe së bashku eksplorojnë hapësira të largëta të imagjinatës dhe lirisë.
Klimaksi i filmit është një moment magjik: Erik, nën shikimin e befasuar të bashkëmoshatarëve të tij, arrin të fluturojë. Kjo nuk është thjesht një skenë fantazie; është metaforë e fuqisë së shpresës dhe e mundësisë që edhe nga dhimbja më e thellë mund të lindë një mrekulli. Fluturimi i tij është një kujtesë e fuqishme se ëndrrat, besimi dhe kurajoja mund të tejkalojnë çdo pengesë, madje edhe ato që duket se janë të paarritshme.
Djali që mund të fluturonte mbetet një film i ëmbël dhe melankolik, tipik i viteve ’80, që kombinon ndjeshmërinë e dramës me magjinë e fantazisë. Ai na fton të reflektojmë mbi dhimbjen dhe humbjet që secili prej nesh përjeton, por edhe mbi shpresën dhe mundësinë për t’u ngritur mbi kufizimet e botës reale. Filmi është një thirrje për të mos harruar fuqinë e ëndrrave dhe për të besuar se mrekullitë, ndonjëherë, janë më afër se sa mendojmë.