Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka paralajmëruar se Vladimir Putin mund të zgjerojë luftën duke sulmuar një vend tjetër evropian, ndërsa Rusia po teston qëllimisht mbrojtjen ajrore të NATO-s me sulmet e saj të fundit me dronë. Duke folur nga Kievi pas një takimi me Donald Trump gjatë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, Zelensky tha se Kremlini po përgatitet për një konflikt më të madh dhe nuk do të presë për të përfunduar luftën në Ukrainë, por do të hapë një front të ri.
Ai iu referua dronëve të vërejtur në Danimarkë, Poloni dhe Rumani, si dhe shkeljes së hapësirës ajrore të Estonisë nga avionët rusë. Të premten në mbrëmje dronë u panë mbi një bazë ushtarake daneze dhe të shtunën mbi një bazë norvegjeze. Zelensky paralajmëroi se vendet e BE-së po përballen me vështirësi për të reaguar ndaj këtij kërcënimi të ri. Më herët këtë muaj, Ukraina identifikoi 92 dronë që fluturonin drejt Polonisë; shumica u neutralizuan, por 19 arritën të hyjnë në territorin polak, ku vetëm katër u rrëzuan.
Presidenti ukrainas theksoi se Ukraina është gati të ndajë përvojën e saj me vendet e tjera për të trajnuar personelin në mënyrën e zmbrapsjes së sulmeve ajrore ruse. Këto komente erdhën pas një bisede pozitive me Donald Trump, i cili deklaroi se me mbështetjen e NATO-s dhe Evropës, Ukraina mund të rifitojë të gjithë territorin e humbur që nga viti 2022. m.p.