Keir Starmer ka kaluar pjesën më të madhe të vitit duke iu përkëdhelur presidentit amerikan. Nuk do të jetë aspak surprizë kur ai të kafshohet.
Aditya Chakrabortty
Pavarësisht gjithë bojës së derdhur mbi Donald Trumpin, rrallë thuhet ndonjë fjalë për dashurinë e tij për poezinë. E megjithatë ekziston të paktën një poezi që ai e adhuron dhe e reciton rregullisht para turmave që brohorasin. Muajin e kaluar, Shtëpia e Bardhë madje e shndërroi atë në një film të shkurtër. Quhet “Gjarpri” (fillimisht shkruar si këngë nga Oscar Brown Jr) dhe është sa më afër që ky president mund të ketë një credo.
Poezia fillon me një gjarpër gjysmë të ngrirë, “i mbuluar me vesë” që lutet të merret në ngrohtësi. Lutja e tij dëgjohet nga një “grua zemërbutë”:
Ajo e mbështolli me kujdes në një batanije prej mëndafshi
Dhe e shtriu pranë zjarrit me mjaltë dhe qumësht
Duke ia ledhatuar e puthur “lëkurën e bukur”, gruaja e shtrëngon fort, por “në vend që t’i thotë faleminderit, gjarpri i dha një pickim të egër”.
Këto vargje janë vetë thelbi i trumpizmit: mos lejo të huajt të afrohen shumë, ose do të shpërblehesh me helm. As përqafime, vetëm shfrytëzim. Kështu ai e sheh biznesin, politikën dhe, natyrisht, imigracionin. Recitimi i tij në videon e Shtëpisë së Bardhë shoqërohet me imazhe burrash me lëkurë të errët të lidhur me pranga që tërhiqen zvarrë.
Duke parë fjalimin e tij të jashtëzakonshëm këtë javë në OKB, mendova sërish për “Gjarprin”. Është përshkrimi i përsosur i dinamikës mes Trumpit dhe establishmentit britanik – një marrëdhënie ku Trumpi është gjarpri helmues.
Javën e kaluar ai ishte mysafiri më i nderuar i Keir Starmerit, duke shijuar një banket në Kështjellën Windsor dhe i përkëdhelur nga mbreti Charles si “më i afërmi i gjakut”. Një udhëtim kthimi më pas, Trumpi u sul mbi mikpritësin e tij – “Shpresoj që kryeministri të më dëgjojë” – dhe e futi Britaninë e Madhe mes atyre “gropave të vjetra të botës” që “po shkojnë në ferr”.
“Më ke kafshuar, por pse?
Dhe e dije që pickimi yt ishte helmues dhe tani unë do të vdes.”
Për pjesën më të madhe të vitit, Starmer e ka përqafuar Trumpin sa më ngushtë që ka mundur: një vizitë e dytë shtetërore e paprecedentë, një natë në kështjellë dhe një ditë në Chequers, foto me familjen mbretërore. Të gjitha këto për dollarët amerikanë. Tarifa më të ulëta dhe investime më të larta janë ROI (Return on Ingratiation – “kthimi nga përkëdhelja”) i Starmerit. Javën e kaluar ai mori çmimin më të madh deri tani, marrëveshjen teknologjike SHBA–MB. “Investim rekord”, shpalli Downing Street. “Një shifër marramendëse”, pranoi redaktori i biznesit i BBC-së, Simon Jack. Përgatituni që kjo të trompetohet në konferencën e ardhshme të Laburistëve – dhe që shtypi të tundë kokën në shenjë aprovimi. Në fund të fundit, ata kaluan më shumë kohë javën e kaluar duke u mahnitur me kapelat e Melanias sesa duke u thelluar nën shifrat kryesore.
Megjithatë, nëse anëtarët e Laburistëve dhe votuesit e tjerë do të dinin se çfarë është nënshkruar në emrin e tyre, ata do të zemëroheshin, jo do të gëzoheshin. Më pranë së vërtetës është të imagjinosh një gjarpër me lëkurë me yje e shirita, që mbështillet gjithnjë e më fort rreth tokës, të dhënave, furnizimit me ujë dhe shtyllave elektrike – duke pretenduar gjatë gjithë kohës se është për të mirën tënde.
Nuk është vetëm numërimi i dyfishtë i projekteve të shpallura një vit ose më parë, si hapja e madhe e Google pranë M25 apo investimi i Blackstone në Northumberland. Të tilla janë standardet e ndyra të qeverisjes britanike.
Më befasues është përkulja e Starmerit ndaj investitorëve të huaj si “transformuese për jetën”. Shumica e britanikëve do të ndihen ndryshe. Glazerët, Blackstone dhe Macquarie janë të gjitha shembuj të “investimeve hyrëse”, por tifozët e Manchester Unitedit, pacientët e shtëpive të kujdesit Southern Cross dhe klientët e Thames Water mund t’i tregojnë deputetëve se sa mirë shkuan ato.
Ashtu do të ndodhë edhe me 31 miliardë £ investime teknologjike. Botimet e vetë Whitehall-it e bëjnë të qartë se shumica e parave amerikane nuk po shkojnë në biznese të reja apo zyra luksoze, por në qendra të dhënash – të cilat janë absolutisht thelbësore për inteligjencën artificiale, por pothuajse nuk diskutohen në politikën britanike. Qeveria jonë pretendon se ato janë “fabrikat që fuqizojnë AI-n” sepse në Westminster “fabrikat” janë sinonim për prodhim, njerëz, punë. Pikërisht ajo që nuk janë qendrat e të dhënave. Ato janë shumë më afër magazinave hi-tech plot, jo me njerëz, por me makina. Nuk prodhojnë, por ruajnë: të dhënat e tua dhe të miat. As nuk ofrojnë shumë vende pune.
Shihni dokumentet e planifikimit për godinën e re të Blackstone pranë Blyth në Northumberland: mbi 500.000 m² për deri në 10 qendra të dhënash. Blackstone vlerëson se ndërtimi do të kërkojë në kulm 1.200 punëtorë për rreth 10 vjet.
“Punë, punë, punë,” premtoi Starmer. Vërtet? Pasi të jenë vënë në punë, i gjithë kompleksi i madh do të ketë nevojë vetëm për 40 punonjës për çdo qendër të dhënash. Por deri atëherë lideri laburist do të ketë kohë që të largohet.
Pyeteni Blackstone se çfarë do të bëjnë stafi i përhershëm, dhe ata janë admirueshëm të hapur: këta njerëz nuk do të jenë gjeneralët e ekonomisë së re të të dhënave, por ushtarët e saj të vegjël, me paga që e tregojnë këtë – mirëmbajtës, mbështetje dhe roje sigurie. Kjo hapësirë ishte menduar të ishte fabrika e zhurmshme e Britishvolt, kur Boris Johnson ishte në kulmin e optimizmit të tij. Tani do të jetë një Mary Celeste gjigante e boshatisur.
Megjithatë “qendrat hiper” që po ngrihen në të gjithë Britaninë janë jetike për Microsoftin, Google-in dhe gjigantët e tjerë amerikanë të AI-t që kanë nevojë për fuqi të madhe kompjuterike. Është Silicon Valley që do të zotërojë, operojë dhe pajisë qendrat – dhe shumë nga miliardat që Starmer pretendon se po vijnë në brigjet tona do të kthehen pas në Perëndim. Nuk janë tullat dhe llaçi që kërkojnë gjithë ato miliarda – janë çipat e Nvidia-s që futen brenda.
Këto qendra të dhënash janë ekuivalente me “bazat ushtarake amerikane në tokën britanike”, thotë Cecilia Rikap, eksperte e AI-t në University College London. Janë hapësira përtej mbikëqyrjes (qeveria nuk di as sa qendra të dhënash janë në tokën britanike) dhe pronarët e tyre do të kërkojnë taksa të ulëta.
“Më mer brenda, o grua zemërbutë
Më mer brenda, për hir të qiellit
Më mer brenda, o grua zemërbutë,” psherëtiu ai gjarpër helmues
Për Silicon Valley-n, ekonomia e së nesërmes. Për ne të tjerët? Në kryeqytet, qendrat e të dhënave tashmë po konkurrojnë me banesat për energji dhe ujë. Në dokumentet e publikuara këtë vit, bashkia e Tower Hamlets në lindje të Londrës paralajmëroi për rrezikun e një “rritjeje të papritur të aplikimeve për lidhje nga qendrat e të dhënave, duke rezervuar kapacitetin e disponueshëm të rrjetit”. Pasojat, paralajmëruan zyrtarët, mund të jenë që “ndërtimi i banesave, në shkallë të gjerë, të mos mund të vazhdojë për potencialisht 10+ vjet, për shkak të mungesës së kapacitetit elektrik”.
Britania e Madhe rrezikon të bëhet një “shtet vasal”, paralajmëroi javën e kaluar Nick Clegg – dhe për herë të parë që nga viti 2010, mund të gjithë të biem dakord me Nickun. Ne po lidhemi me infrastrukturën e AI-t të Silicon Valley-t: qendrat e tij të të dhënave, cloud computing-un. Tubacionet dhe rrjetet e ekonomisë sonë të informacionit zotërohen dhe drejtohen përmes SHBA-ve të Trumpit. Teksa presidenti zbarkonte në Stansted, një ish-zëvendës-guvernator i Bankës së Anglisë, Jon Cunliffe, paralajmëroi se SHBA mund “të armatojë” me lehtësi dominimin e saj mbi sistemin ndërkombëtar të pagesave, duke shtypur një “buton vdekjeje” për të çaktivizuar vendet që i rezistojnë diktatit të Shtëpisë së Bardhë. Mendoni për Kanadanë, nëse nuk do të dojë të bëhet shteti i 51-të, ose për Danimarkën nëse këmbëngul të mbajë Groenlandën.
Dhe nëse ende mendoni se është e pamundur që Trumpi të detyrojë kompanitë e mëdha amerikane t’i nënshtrohen vullnetit të tij politik, pyesni thjesht Jimmy Kimmelin.
“Mbylle gojën, grua budallaqe,” tha reptili me buzëqeshje
“Ti e dije shumë mirë që unë isha gjarpër para se të më merrje brenda.”
*Aditya Chakrabortty është kolumnist i “The Guardian”/ Përgatiti për botim: L.Veizi