Kongresmenët demokratë në Shtetet e Bashkuara publikuan një seri dokumentesh të reja lidhur me Jeffrey Epstein, financierin e dënuar për abuzim seksual, ku përmenden emra të njohur si Elon Musk dhe Princi Andrew i Britanisë.
Sipas dokumenteve të dorëzuara në Komitetin e Mbikëqyrjes së Dhomës së Përfaqësuesve, Musk ishte ftuar të vizitonte ishullin privat të Epstein në dhjetor të vitit 2014. Një shënim i datës 6 dhjetor 2014 thotë:
“Kujtesë: Elon Musk në ishull më 6 dhjetor (a do të vijë ai?)”
Musk ka deklaruar më parë se kishte marrë ftesën, por e kishte refuzuar. Në një përplasje këtë vit me Donald Trump, Musk akuzoi kreun e Shtëpisë së Bardhë se po tentonte të fshihte këtë çështje.
Në të njëjtën kohë, një listë pasagjerësh nga maji i vitit 2000 tregon se Princi Andrew udhëtoi nga Nju Xhersi në Florida së bashku me Epstein dhe bashkëpunëtoren e tij, Ghislaine Maxwell, e cila më vonë u dënua për trafik seksual. Një regjistër financiar i redaktuar përmend pagesa për “masazhe për Andrew” në shkurt dhe maj të vitit 2000. Duka i Jorkut ka mohuar vazhdimisht çdo përfshirje në veprimtari të paligjshme.
Dokumentet përmendin gjithashtu takime të mundshme me figura të tjera të njohura, përfshirë Peter Thiel, Steve Bannon dhe Bill Gates, i cili më parë ka pranuar se kishte bërë gabim duke pasur kontakt me Epstein.
Demokratët kanë kërkuar publikimin e më shumë dosjeve, duke argumentuar se çdo dokument i ri ndihmon për të hedhur dritë mbi lidhjet e Epstein me njerëz të fuqishëm dhe për të sjellë drejtësi për viktimat. Republikanët, nga ana tjetër, akuzuan demokratët se po përdorin çështjen për përfitime politike, duke premtuar publikimin e të gjitha dokumenteve në kohën e duhur.
Jeffrey Epstein vdiq në gusht 2019 në një burg në Nju Jork, ku po priste gjyqin për trafik seksual të të miturve./E.S