‘Rikthehet’ skandali Epstein, Elon Musk dhe Princi Andrew përmenden në dokumentet sekrete

Miliarderi Elon Musk dhe Princi Andrew janë mes emrave që përmenden në dokumente të reja të bëra publike nga demokratët në Kongresin amerikan, të cilat lidhen me financierin e ndjerë dhe të dënuar për pedofili, Jeffrey Epstein.

Dokumentet, që janë dorëzuar në Komitetin për Mbikëqyrje dhe Reformë të Dhomës së Përfaqësuesve nga përfaqësuesit e pasurisë së Epstein-it, tregojnë se Musk ishte ftuar në ishullin privat të Epstein-it në dhjetor të vitit 2014.

Ndërkohë, një manifest fluturimi nga New Jersey drejt Floridës në maj të vitit 2000 tregon se Princi Andrew ishte mes pasagjerëve.

Të dy, Musk dhe Princi Andrew, janë kontaktuar për koment nga mediat. Princi Andrew ka mohuar me vendosmëri çdo gjë. Musk është cituar më herët të ketë thënë se kishte marrë ftesë për të vizituar ishullin, por e kishte refuzuar.

Këto dokumente përbëjnë pjesën e tretë të materialeve të dorëzuara nga pasuria e Epstein-it. Demokratët në Komitetin e Mbikëqyrjes thonë se dokumentet përfshijnë regjistra të mesazheve telefonike, kopje të regjistrave të fluturimeve dhe manifestet e avionëve, libra financiarë dhe orarin e përditshëm të Epstein-it.

Përveç Musk dhe Princit Andrew, në dokumente përmenden edhe figura të tjera të njohura si sipërmarrësi i teknologjisë Peter Thiel dhe ish-këshilltari i Donald Trump-it, Steve Bannon.

Një shënim i datës 6 dhjetor 2014 në dokumente thotë: Kujtesë – Elon Musk në ishull më 6 dhjetor (a është ende në plan?).

Një manifest fluturimi tregon se Princi Andrew ka udhëtuar me Epstein-in dhe bashkëpunëtoren e tij, Ghislaine Maxwell, nga Teterboro, New Jersey, në West Palm Beach, Florida, më 12 maj 2000. Maxwell u dënua në vitin 2021 për komplot me Epstein për trafikimin seksual të vajzave të mitura.

Lexo edhe :  Tony Blair në bisedime për të drejtuar autoritetin kalimtar të Gazës

Në dokumente përmendet edhe një drekë e planifikuar me Peter Thiel në nëntor të vitit 2017, si dhe një mëngjes i planifikuar me Steve Bannon më 17 shkurt 2019.

Nuk ka sugjerime se personat e përmendur në dokumente kishin dijeni për aktivitetet kriminale për të cilat më vonë Epstein u arrestua. Jeffrey Epstein vdiq nga vetëvrasja në një qeli burgu në New York në gusht të vitit 2019, ndërsa po priste gjyqin për akuza mbi trafikim seksual.

Në vitin 2008, ai arriti një marrëveshje me prokurorët, pasi prindërit e një vajze 14-vjeçare e akuzuan për abuzim seksual në shtëpinë e tij në Palm Beach. Ai u arrestua sërish në korrik të vitit 2019 për trafikim seksual.

Zëdhënësja e demokratëve në Komitetin e Mbikëqyrjes, Sara Guerrero, i bëri thirrje Prokurores së Përgjithshme Pam Bondi që të publikojë më shumë dokumente të lidhura me Epstein.

“Duhet të jetë e qartë për çdo amerikan se Jeffrey Epstein ishte mik me disa nga njerëzit më të fuqishëm dhe më të pasur në botë. Çdo dokument i ri që publikohet sjell më shumë informacione ndërsa punojmë për të sjellë drejtësi për të mbijetuarit dhe viktimat”, u shpreh ajo./kb