Ndeshja mes Serbisë dhe Shqipërisë, e cila do të zhvillohet në Leskovac, po tërheq vëmendje të madhe jo vetëm për rivalitetin historik, por edhe për rëndësinë sportive.
Fituesi do të renditet pas Anglisë dhe ka mundësi të sigurojë një vend në Play Off-in për Botërorin.
Kjo sfidë rikujton ndeshjen historike për kualifikimin në Europianin e Francës, ku një veprim i Ballist Morinës me dron në Beograd kishte ndikuar në rrjedhën e ngjarjeve dhe përfundimisht Shqipëria kishte fituar 0-3 në tavolinë. Tani, Morina ka filluar numërimin mbrapsht në profilin e tij në Facebook, duke paralajmëruar një surprizë të mundshme në Leskovac.
Shumë hipoteza qarkullojnë se çfarë mund të ndodhë: disa sugjerojnë një veprim të ri gjenial, të ndryshëm nga droni i mëparshëm, ndërsa të tjerë mendojnë për një bllof që mund të tensionojë kundërshtarët dhe t’u japë shqiptarëve një avantazh psikologjik.
Prania e Ballist Morinës në Leskovac, afër Prishtinës, konsiderohet një faktor që rrit ankthin dhe presionin mbi Serbinë. Megjithatë, ndeshja do të zhvillohet nën masa më të rrepta sigurie, duke e bërë një sfidë më të vështirë për çdo surprizë të mundshme.
Të gjithë tifozët janë kuriozë për çfarë do të ndodhë në stadium, ndërsa një fitore tjetër e Shqipërisë, sidomos në tavolinë, do ta ngjiste Morinën në status legjendar ndër tifozët shqiptarë./E.S