“Nuk ekzistojnë rregulla europiane që e ndalojnë këtë, por Italia nuk blen më gaz rus“.
Kështu ka deklaruar këtë të shtunë zëvendëskryeministri dhe ministri i jashtëm italian (lideri i Forza Italia), Antonio Tajani.
Ndërsa po fliste për situatën e luftës në Ukrainë dhe sanksionet që Bashkimi Europian planifikon të marrë ndaj Moskës, ministi i jashtëm Italian tha se: Italia furnizohet me gaz nga vendet e Azisë Qendrore, nga Algjeria, Libia dhe me gaz të lëngshëm nga Shtetet e Bashkuara.
Gjatë fjalës së tij ai shtoi se presidenti amerikan Donald Trump thotë se Europa duhet të bëjë më shumë, por “nuk na referohet neve”.
“Për naftë pothuajse nuk blejmë më asgjë”, shpjegoi Tajani sipas Corriere Della Sera, “Janë kryesisht dy apo tre vende që kanë probleme energjetike. Ne kemi bërë një plan alternativ energjetik dhe nuk kemi më gaz rus. Aspekti ligjor është një gjë, por ne kemi bërë zgjedhjen tonë që në fillim. Zbatojmë sanksionet. 270 kompanitë italiane që operojnë në Rusi veprojnë në përputhje me sanksionet.“
Sjellim ndërmend se këtë të shtunë, shefat e shtabit të NATO-s u mblodhën në Riga për të adresuar shkeljet e fundit të hapësirës ajrore të vendeve aleate nga ana e Rusisë. Drejtuesit e aleancës i dënuan këto veprime si të papërgjegjshme dhe premtuan forcim të mëtejshëm të mbrojtjes./E.S