The Hack – historia e jashtëzakonshme e përgjimeve telefonike kthehet në një serial

Skenari i zbehtë i Jack Thorne – plot me replika të sikletshme, sekuenca të çuditshme ëndërrimtare dhe një brumbull që shfaqet herë pas here – dështon të kapë dramën e hetimit historik të Guardian mbi korrupsionin në media.

Lucy Mangan

Para se të rishikoj në gazetën Guardian një program mbi një hetim të famshëm të Guardian-it, disa sqarime duhen bërë: Nuk njoh askënd nga ata që paraqiten në The Hack, dramën me shtatë episode të Jack Thorne mbi hetimin e gazetarit të Guardian, Nick Davies, për skandalin e përgjimeve telefonike të kryera nga anëtarë të ndryshëm të News International të Rupert Murdoch-ut. Ky hetim çoi në shtatë hetime madhore policore, gati 40 dënime dhe mbylljen e gazetës News of the World. Nuk kam takuar kurrë as Davies, as atëherë-kryeredaktorin Alan Rusbridger (përveç një shtrëngimi duarsh në një çadër të mbushur plot në Hay-on-Wye 20 vite më parë). Kaq me disclaimers – le të fillojmë!

Historia

The Hack nis në vitin 2008, kur Davies – i interpretuar nga David Tennant me tensionin dhe seriozitetin e tij karakteristik – merr një informacion se News of the World kishte përgjuar mesazhet zanore të të famshmëve për të siguruar thashetheme dhe artikuj, duke i justifikuar më vonë me foto e prova të tjera të fabrikuara. Redaktori Andy Coulson kishte dhënë dorëheqjen një vit më parë pas akuzave se “një gazetar i vetëm” kishte vepruar në këtë mënyrë. Por, në fakt, praktika ishte endemike. Dhe Coulson tashmë ishte bërë drejtor komunikimi i kryeministrit të atëhershëm, David Cameron – duke e bërë çështjen me interes të lartë publik.

Davies nis punën e lodhshme të grumbullimit të provave, një proces që shtrihet mbi gjashtë vite, ku përfshihen edhe lidhjet gjithnjë e më të dyshimta të Metropolitan Police me tabloidët – lidhje që kalonin nga bashkëpunimi tek korrupsioni i mundshëm.

Problemi i serialit

Por të qepësh një histori kaq të madhe siç bëri Davies, në termat televizivë është shumë e mërzitshme – sidomos kur shtrihet në shtatë orë të tëra. Shumë telefonata të dështuara. Shumë gjurmë që nuk çojnë askund. Shumë yje që refuzojnë të flasin. Shumë avokatë që kërkojnë durim, shumë Rusbridger që kërkon më shumë dokumente, më shumë emra, më shumë fakte. Pika të vogla përparimi. Heshtje e turpshme nga pjesa tjetër e shtypit.

Lexo edhe :  Historia pas një klasiku të humbur të muzikës dance Punjabi Disco

Thorne përpiqet ta gjallërojë me thyerje të murit të katërt nga Tennant, komente drejtuar kamerës dhe sekuenca ëndërrimtare – por këto thjesht tregojnë mungesë besimi tek historia dhe tek shikuesi, duke e larguar edhe më shumë ritmin.

Më dinamike është linja e dytë, ajo e detektivit David Cook (i luajtur në mënyrë të shkëlqyer nga Robert Carlyle), i cili, teksa heton vrasjen e hetuesit privat Daniel Morgan, zbulon sa të lidhur ishin mediat me policinë. Por dy rrëfimet mbeten shumë larg njëri-tjetrit për të ndarë energjinë.

Një dramë që ngec

The Hack dëmtohet edhe nga fakti se, ndryshe nga drama të tjera mbi skandale tronditëse si Mr Bates vs the Post Office, merret kryesisht me ideale (dhe ideale gazetarie) në vend të emocioneve njerëzore. Abstraksionet janë më të vështira për t’u përjetuar.

Skenari është i dobët: i përsëritur (pothuajse çdo personazh i thotë Nick-ut se duket i lodhur), me replika të dobëta (“Jemi në një betejë zjarri këtu! Ata do të vazhdojnë të hedhin baltë derisa diçka të ngjitet”) dhe ide të këqija (si brumbulli që kalon ekranin për të kujtuar shprehjen se duhet të hash shumë mbeturina përpara se të fluturosh).

Ka gjithashtu një nderim të tepruar për subjektin, shpesh deri në qesharak. Davies paraqitet si një shenjtor i nxitur nga fëmijëria e dhunshme për të luftuar çdo abuzim pushteti; ish-bashkëshortja e tij i thotë ende fëmijëve se kanë një “baba mbresëlënës”. Ndërsa Rusbridger ka replika heroike si: “Jeta ime? Kjo është më e madhe se unë”. Ky ton vetë-madhështues e bën serialin të rëndë dhe pak të pëlqyeshëm.

Përfundimi

Midis shtrirjes së gjatë dhe tonit të tepërt, shumë humbet. Çfarë mbetet duket i çuditshëm, gati i vjetruar. Që nga koha e përgjimeve të News of the World, bota është përballur me skandale shumë më të rënda të korrupsionit policor, abuzimeve politike dhe humbjes së privatësisë. Krahasuar me to, dëmi i atëhershëm duket pothuajse si një histori nga “kohë më të thjeshta”.

Burimi: theguardian.com/ Përgatiti: L.Veizi