Më shpëtoi kjo frazë duke parë televizorin. Po shihja një dokumentar për Drojën, fshat në Kurbin. Sapo kishte ardhur për drekë mbesa dhe u pataks nga kjo fjali. Qe një dëshirë makabre, alogjike, me çmenduri brenda. Jo normale, ndaj ajo u tromaks. Iu zmadhua bebja e syrit, doli para meje, isha në kolltuk te dhoma e ndenjes e, sa po bëhej gati të më pyeste, nuk e lashë.
-Po mi gocë, kam dashur vërtet të isha derr. Ah, sa kam dashur! E jo veç unë, por një grup i madh çunash të moshës sime. Kur them moshës së atëhershme, i bije qe ishim sa ty, ose dy vite më shumë që të jem i saktë.
Nuk foli, e pashë që hiç nuk u sqarua. Qëndronte sërish ballë meje pa lëvizur. Me pyetjen e pathënë, hë mo, më sqaro! Ose shkurt, të paska mbërritur mosha të rrëshqasësh?!
-Ulu, vajzë, ulu në kolltuk e më dëgjo. Ishte viti i parë në universitet. Qe shtator i nxehtë atë mot dhe nuk e filluam sezonin shkollor me leksione e seminare, por me përgatitje ushtarake. Ashtu ishte sistemi atëhere. Përgatiteshim si mësuesë të ardhshëm, por edhe si ushtarë të gatshëm. E këtë përgatitje e bënim te ky fshati që nxorri televizori, Drojë quhet. Aty qenë ngritur kapanonet ku flinim dhe mësonim artin luftarak.
Boria e zgjimit buçiste në 4 të mëngjesit. Pas gjysëm ore hanim një supë të shpifur. Lëng i ngrohtë me ca copra domatesh që lundronin sipër pjatës prej alumini. Më pas rreshtoheshim para komandës dhe një orë komisari na sqaronte politikisht. Na thosh që vendi ynë ishte në gojë të ujkut, i rrethuar me armiq, por ne s’trembeshim, hidhnim valle, nuk pyesnim për ta.
Armiku na kishte në grykë të pushkës, ne i kishim ata në grykë të topit e tërci e vërci. Ishim veç 17 vjeç ndaj shumë gjëra edhe i besonim, por edhe na frikësonin. Nga vapa e lodhja aty në rresht disa këputeshin përtokë. U binte të fikët. Po komisari vazhdonte dërdëlliste. Në orën 8 varg e varg niseshim malit lart. Maskoheshim me ferra e degë pemësh mos na shihte armiku. Ashtu barkas rrinim disa orë.
Me pushkën te faqja e syrin mbi ata që do na pushtonin atdheun. Që për fat të mirë e të keq shikimi drejtohej tek lumi. Te uji i freskët ku luanin e zhgryheshin disa derra. Qenë të kooperativës. Çdo mëngjes atje i shihnim. Ne shtrirë mos zbuloheshim nga barbarët që kishim rreth e rrotull. Shpesh në diell, pikë hije aty mbi shkëmb. Nga zhegu na zjente koka si vorba e fasuleve anës vatrës. Gati na shpërthente. Por nuk flisnim se dënoheshim. Quheshim dezertorë, qaramanë e natën duhej të mos flinim hiç, por të bënim roje rreth kapanonit. Pasi kalonte dreka e dielli niste zbritjen në det ktheheshim në mencë.
Hanim një pjatë grosh me ca fasule që duhej të kishe fat t’i kapje dhe bukë. Shumë bukë. Ajo na ngopte disi. Mbasdite niste leximi i veprave të udhëheqësve komunistë, biseda sërish me komisarin e në darkë vonë, pasi pinim çajin si vakt të tretë, shtriheshim për gjumë. Të vdekur, të zalisur. Disa orë se në 4 pa u gdhirë binte çanga dhe hynin oficerët në fjetore me britmat, dilni shpejt ore, shpejt, alarm, po na mësyn armiku.
Ky ritual, ose kjo torturë, zgjati 30 ditë rresht. Të maskuar, shtrirë me faqen te arma dhe me sytë tek derrat. Derrat ishin njerëz, jo ne. Ata gëzonin liri, freski, s’ishin nën dhunë, s’merrnin dënime. Kalonin duke kërcyer nga një breg te tjetri. Ne nuk guxonim të nxirrnim nga goja një pakënaqësi, një vërejtje, një dhimbje prej lodhjes a stërmundimit.
Ëndërronim të fusnim këmbët te lumi, të shpëlanim fytyrën dy sekonda, të lagnim gjoksin e djersitur…Jo që nuk na lejonte kush, po as guxonim të kërkonim diçka. Të nxirrnim një fjalë, një rrokje. Derrat na bënin zili. Dhe si për t’u tallur me ne tundnin papushim bishtin e shkurtër që u ngjante si antenë radioje.
Jeta e tyre qe ku e ku më e bukur se jona. Qe më e shijshme. Qe më e plotë. Vërtet një ditë ata shkonin te thika, por ne jetonim vazhdimisht mbi thika. Mbi thika qemë çdo ditë. Ndaj thuajse të gjithë kishim një dëshirë; ah, të ishim derra! Ah, sa donim të ishim si ata! Ah!
Kaq fola dhe me sa dukej isha bërë i besueshëm. Toni i zërit në shpjegimin tim dhe syri i njomur nga ato kujtime makabre e bënë punën e vet. Siç paracetamoli kur sulmon ethet. Mbesa më përqafoi, ashtu më mbajti gjatë. Sikur pati frikë mos bëhesha vërtet si dëshiroja. Ose mos ndoshta më realizohej shpejt e shpejt dëshira e atëhershme. Dëshirë që dilte nga dhimbja e atyre moteve që rrëshqitën duke na gërvishtur trupin dhe gjakosur shpirtin./ E.T