Tarifat e reja amerikane, Komisioni Evropian: SHBA të garantojnë se nuk do të kalojnë 15%

Komisioni Evropian ka reaguar ndaj vendimit të presidentit amerikan Donald Trump për vendosjen e tarifave të reja mbi barnat, kamionët dhe mobiliet me origjinë nga Bashkimi Evropian, duke publikuar një deklaratë të përbashkët BE-SHBA.

Sipas deklaratës, “Shtetet e Bashkuara synojnë të sigurojnë menjëherë që norma e përgjithshme doganore, e përbërë nga tarifa MFN (‘Most Favored Nation’, pra tarifa e shtetit më të favorizuar) dhe tarifa shtesë e vendosur sipas nenit 232 të Ligjit për Zgjerimin e Tregtisë të vitit 1962, që aplikohet për produktet me origjinë nga BE-ja, të cilat janë subjekt i masave të nenit 232 për barnat, gjysmëpërçuesit dhe drurin, të mos e kalojë kufirin prej 15%.”

Burime nga Komisioni bënë të ditur sot se Komisioneri për Tregtinë, Maroš Šefčovič, zhvilloi një takim të enjten me homologun e tij amerikan, ku sipas tyre, klima ishte pozitive dhe çështja e tarifave të reja nuk u diskutua.

Njoftimi i presidentit Trump ka befasuar të dyja palët. Një përfaqësues i zyrës së shtypit të Komisionit komentoi sot se “në SHBA, vetëm një person merr vendimet,” duke shtuar se “edhe kur jepen siguri, askush nuk mund të jetë i sigurt se ato nuk do të ndryshojnë.”

Kjo qasje duket se dominohet ndër zyrtarët evropianë, të cilët po vërejnë një ndryshim të qëndrimit nga SHBA në disa çështje, përfshirë edhe atë të Ukrainës dhe tarifat tregtare.

Megjithatë, Komisioni Evropian nuk shfaq shqetësim të madh për tarifat e reja. Në deklaratë thuhet se “kufiri i qartë dhe i përgjithshëm maksimal prej 15% për eksportet e BE-së përbën një garanci që nuk do të vendosen tarifa më të larta ndaj aktorëve ekonomikë evropianë. BE është partneri i vetëm tregtar që ka arritur një marrëveshje të tillë me SHBA.”

Lexo edhe :  Kremlini ironizon Trump: Rusia nuk është tigër, por ari

BE dhe SHBA do të vazhdojnë bashkëpunimin për zbatimin e angazhimeve të deklaratës së përbashkët, ndërsa do të shqyrtojnë edhe fusha të tjera për përjashtime tarifore dhe zgjerim të bashkëpunimit./e.t