Kievi ka qenë nën bombardime të rënda ruse që nga mëngjesi i së dielës, në atë që vëzhgues të pavarur e kanë përshkruar si një nga sulmet ajrore më të mëdha në kryeqytetin ukrainas që nga fillimi i luftës tre vjet e gjysmë më parë.
Sipas mediave ukrainase, Rusia nisi sulme të njëkohshme në qytete të tjera, përfshirë Zaporizhian.
Në kryeqytet, dronë fluturuan mbi qytet dhe rrethinat e tij, ndërsa të shtëna kundërajrore u dëgjuan vazhdimisht gjatë gjithë natës.
Shumë banorë u detyruan të strehoheshin në stacionet nëntokësore të metrosë, ndërsa në të gjithë territorin ukrainas u shpall alarmi i kuq.
Deri më tani, sipas agjencisë franceze, ka tre të plagosur në Kiev dhe katër në Zaporizhia. Kryetari i bashkisë së kryeqytetit ukrainas, Vitali Klitschko, njoftoi se tre të plagosurit janë dërguar në spital, ndërsa guvernatori lokal i Zaporizhias, Ivan Fedorov, tha se qyteti është goditur “të paktën katër herë”.
Kreu i zyrës presidenciale, Andriy Yermak, foli për sulme të kombinuara me dronë dhe raketa, duke nënvizuar përshkallëzimin e agresionit rus.
Sulmi masiv rus shkaktoi gjithashtu një reagim të menjëhershëm në Poloni. Varshava njoftoi në agim se kishte mbyllur hapësirën e saj ajrore në kufirin me Ukrainën, pranë qyteteve të Lublinit dhe Rzeszovit.
Forcat e armatosura polake mobilizuan avionë luftarakë për të siguruar hapësirën ajrore pas bastisjeve të Moskës.
Sulmi vjen disa orë pasi Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, paralajmëroi se kushdo që përpiqet të rrëzojë një avion rus në hapësirën ajrore të vendit “do të pendohet shumë”.
Lavrov e quajti një veprim të tillë një “shkelje flagrante të integritetit dhe sovranitetit territorial të Rusisë”, duke përcaktuar tonin për përshkallëzimin e tensioneve.
#Київ Станом на 7.20 внаслідок атаки відомо про п’ятеро постраждалих – мер Кличко. pic.twitter.com/K6G2lrNP51
— BankovaMail (@BankovaMa) September 28, 2025