Megajahtet, të lidhura ngushtë me luksin dhe udhëtimet e pakrahasueshme, janë vënë nën lupë vitet e fundit për shkak të ndikimit të tyre të madh në mjedis duke emetuar më shumë ndotje se disa shtete të vogla. Jahti i ri i Mark Zuckerberg, themeluesit të Facebook-ut, nuk bën përjashtim.
Zuckerberg ka blerë këtë vit një superjaht prej 300 milionë dollarësh, i cili sipas Waldman Media në TikTok, një kanal që prodhon përmbajtje për industrinë detare dhe të jahteve, është i pajisur me dy helipade, pishinë, kinema, palestër, spa dhe hapësira luksoze akomodimi për mbi 24 të ftuar dhe gati 50 anëtarë ekuipazhi.
“Ky është jahti i 45-të më i madh në botë,” thuhet në videon e publikuar. “Ajo shoqërohet nga një jaht ndihmës, 220 metra i gjatë, që kushton 30 milionë dollarë. Brenda tij mbahen mjete sportive, makina Porsche dhe madje një nëndetëse.”
Më tej, raportohet se Zuckerberg ka shtuar së fundmi edhe një tjetër jaht mbështetës, 262 metra të gjatë, duke e bërë flotën e tij të luksit edhe më të madhe.
Reagimet: Pabarazi dhe ndotje
Me gjithë këtë shfaqje të pasurisë së akumuluar në tri jahte luksoze me vlerë qindra milionë dollarësh, reagimet në rrjete sociale kanë qenë kryesisht negative. Shumë komentues theksuan hendekun e madh shoqëror dhe ndikimin shkatërrues në mjedis.
Sipas Oxfam, gjurma mesatare vjetore e karbonit nga një megajaht arrin 5,672 ton, një sasi që një person i zakonshëm do ta emetonte për 860 vjet.
Gregory Salle, profesor në Universitetin e Lilës në Francë, thekson se ndotja nuk kufizohet vetëm te emetimet e karbonit: “Ujërat e zeza, ndotja akustike dhe ajo e dritës, grimcat e tymit të shkarkuar dhe madje vendi ku ankorohen jahtet mund të kenë pasoja të rënda për mjedisin lokal,” tha ai për Fortune.
Pabarazi ekstreme në shifra
Oxfam thekson se 10 individët më të pasur në botë janë përgjegjës për gjysmën e emetimeve globale të karbonit. Në të kundërt, 99% e popullsisë së botës do t’u duheshin 1,500 vjet për të emetuar të njëjtën sasi ndotjeje.
Kjo ka nxitur thirrje të reja për taksa më të larta ndaj jahteve private dhe pasurisë së miliarderëve, për të zbutur dëmet e shkaktuara në klimë dhe mjedis.
“Sa shumë i duhet një njeriu?!”
Përdoruesit e TikTok shprehën zemërim të hapur për këtë nivel luksit. “Sa shumë i duhet një njeriu?!” shkroi një komentues. Një tjetër shtoi: “E kuptoj që je i pasur dhe mund të kesh gjithçka, por është e trishtë që kostoja ditore e mirëmbajtjes së këtyre mjeteve mund të ushqente ose strehonte mijëra njerëz. Këto pabarazi në shoqëri duhet të marrin fund; do të zgjidhnin kaq shumë probleme.”/E.S