Si do të jetë San Siro i ri: 71.500 vende, hotel, dyqane dhe restorante

Arkitekti i famshëm Lord Norman Foster dhe David Manica do të jenë përgjegjës për projektin e stadiumit të ri të Inter dhe Milan, në rast të miratimit të vendimit për shitjen e impiantit San Siro nga këshilli bashkiak i Milanos.

Sipas planeve, rreth 90% e strukturës aktuale do të prishen, me përjashtim të një pjese të unazës së dytë, e cila do të mbrohet nga Soprintendenza nga data 10 nëntor, duke pasur statusin e një pasurie historike.

Komunikata e përbashkët e klubeve zbulon se stadiumi i ri do të integrohet në një projekt rigjenerimi urban prej 281 mijë m², duke ofruar një kapacitet prej 71.500 vendesh dhe dy unaza të mëdha të dizajnuara për një shikueshmëri optimale nga çdo sektor. Ai gjithashtu do të përputhet me standardet më të larta të aksesueshmërisë dhe do të ofrojë sektorë me çmime të përballueshme për tifozët.

Rreth stadiumit parashikohen hotele katër yje me nga 350 dhoma secili, parkingje prej 15.000 m², zyra, dyqane, restorante dhe një muze për Inter dhe Milan, ku biletat pritet të kushtojnë 38 euro dhe tërheqin rreth 450.000 vizitorë në vit.

Projekti synon të krijojë një impiant modern dhe funksional, duke respektuar historinë dhe traditën e një prej stadiumeve më të njohura në botë./E.S