Deputeti i Partisë Demokratike, Arjan Ndoja, i është drejtuar kryeparlamentarit Niko Peleshi gjatë një fjalimi në Parlament, duke kërkuar që rregullorja e re e Kuvendit t’u vendoset në dispozicion deputetëve.
“Kam bërë një kërkesë seancën e kaluar për rregulloren. E keni detyrim të na e vendosni në dispozicion. Neni 78 pika 2 e Kushtetutës i bën të pavlefshme të gjithë mbledhjet pikërisht se ju nuk na i keni vënë në dispozicion. Kjo kërkesë e jonë nuk është për të shtyrë seancën, por ne vijmë në seancë dhe nuk dimë çfarë kemi ndryshuar në rregullore. A mund të quhet një seancë e zhvilluar normalisht?” u shpreh Ndoja.
Nga ana e tij, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, u shpreh se rregullorja e re është shpërndarë te të gjithë deputetët dhe është gjithashtu e publikuar online në faqen zyrtare të Parlamentit. Ai shtoi se shërbimet e Kuvendit do të sigurojnë shpërndarjen e saj edhe për ata deputetë që ndoshta nuk e kanë marrë ende.
“Padyshim që është e drejta e çdo deputeti të ketë aktet, por më konfirmojnë nga shërbimet e Kuvendit që rregullorja e re ju është shpërndarë të gjithë deputetëve dhe për tepër është dhe në faqen e Kuvendit. Të gjithë e kanë marrë,” tha Peleshi.
Ky reagim vjen pas shqetësimeve të disa deputetëve mbi transparencën dhe qasjen në dokumentet e reja të Kuvendit./E.S