Kur aleancat preken, ngrihen pyetje. Kosova dhe Shtetet e Bashkuara kanë ndarë dekada partneriteti të pathyeshëm, një marrëdhënie që për shumëkënd është e shenjtë. Por vitet e fundit, ky raport është sfiduar. Kritikat dolën përtej zyrave dhe takimeve kokë më kokë. Një proces si dialogu strategjik u pezullua pa nisur. Qeveria flet për dallime, Uashingtoni për veprime destabilizuese. Unë jam Ideal Gola, dhe në këtë episod të Newsroom do të tentojmë të hedhim dritë mbi një moment të errët në raportet Kosovë–Amerikë: nga sfidat politike deri te ndikimi mbi të ardhmen e vendit.
Rreth 70 djem e vajza në Kosovë, tashmë në mes të 20-ve, mbajnë emra si Bill, Klinton, Hillary apo Madliene, si ish-presidenti apo Sekretaret amerikane të Shtetit. Dhjetëra shtatore e buste anekënd Kosovës përkujtojnë udhëheqësit amerikanë të fundviteve 90-të. Qindra rrugë në 38 komunat e Kosovës mbajnë emra të këtyre liderëve dhe ushtarakëve amerikanë. Mijëra flamuj amerikanë gjenden pranë atyre kombëtarë dhe të shtetit të Kosovës.
Një sondazh i Institutit Ndërkombëtar Republikan, IRI tregoi se qytetarët e Kosovës konsiderojnë pa ngurrim Shtetet e Bashkuara të Amerikës si aleatin kryesor të vendit. Me një mostër prej 1,164 të rriturish, ku 94 për qind e të anketuarve ishin shqiptarë ndërkaq 6 për qind serbë, rezultatet ishin 77% në favor të Amerikës.
Aktualisht situata nuk duket më e mira në raportet mes Qeverisë në detyrë dhe administratës amerikane. Për hir të së vërtetës, zyrtarë të lartë amerikanë apo Ambasada amerikane ka reaguar në disa raste gjatë këtyre viteve të qeverisjes së Albin Kurtit duke i kërkuar veprime që nuk do të cenonin sigurinë.
Kështu ndodhi për targat në vitin 2022, pas tensioneve në veri në vitin 2023, pas operacioneve të kohëpaskohshme për mbylljen e strukturave paralele, pas vendimit për ndalimin e qarkullimit të dinarit serb, kështu po ndodh edhe tani me kërkesat për të mos penguar serbët të zgjedhin përfaqësuesit e tyre në institucionet qendrore e lokale.
A2 CNN iu drejtua Ambasadës amerikane për të kuptuar se çfarë po ndodh aktualisht. Sigurisht gjuha diplomatike vijon të ruhet, por tregohet se diskutimet e para janë bërë në takimet e rregullta.
Ambasada Amerikane: “E Ngarkuara me punë Anu Prattipati ka zhvilluar takime të rregullta me Kryeministrin në detyrë Albin Kurti. Në këto takime, ne ia kemi shprehur drejtpërdrejt shqetësimet tona dhe e kemi bërë plotësisht të qartë pozicionin e qeverisë së Shteteve të Bashkuara”
Stabilitet dhe siguri është togfjalëshi që përdor Ambasada kur flet për angazhimet e vendeve partnere të saj.
Ambasada Amerikane: “Shtetet e Bashkuara do të mbeten gjithmonë një mike e afërt e popullit të Kosovës dhe jemi plotësisht të përkushtuar ndaj partneritetit tonë. Në të njëjtën kohë, ne i bëjmë thirrje partnerëve tanë të punojnë në mënyrë konstruktive për të siguruar stabilitet dhe siguri”
Më 12 shtator, Ambasada amerikane njoftoi pezullimin e dialogut të planifikuar strategjik me Kosovës për shkak të veprimeve të Qeverisë që sipas tyre kanë “rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë”.
Një javë më vonë, kryeministri në detyrë, Albin Kurti për herë të parë do të fliste për këtë vendim, duke e bërë Serbinë si shkak të saj.
Albin Kurti, Kryeministër: “Përgjatë mandatit tonë jemi angazhuar që raportet dhe partneriteti ynë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës të forcohet në tri shtylla kryesore: diplomaci, mbrojtje dhe zhvillim. Në shtyllën e diplomacisë kemi disa dallime dhe ato shumë shpesh kanë të bëjnë me qëndrimet tona në raport me Serbinë dhe veprimet ndaj strukturave ilegale të saj në Kosovë. Përderisa pajtohemi për vlera, interesa dhe qëllime, nganjëherë jo edhe për çështje operacionale e taktike. Me gjithë këto vështirësi në këtë shtyllë, padyshim që ka ecje substanciale në dy shtyllat tjera, atë të mbrojtjes dhe të zhvillimit”
Më në detaje për shqetësimet amerikane Kurti foli në Amerikë në një bashkëbisedim me studentë në Nju Jork ku tha se nuk bën kompromise me sundimin e ligjit në veri.
Albin Kurti, Kryeministër: “Është për shkak të sundimit të ligjit në veri të Kosovës, i cili rezultoi të ishte kuadër e strukturave ilegale serbe dhe këtu nuk mund të bëj kompromise. Nuk mund t’ia lë këtë problem brezit tuaj. Mendoj që brezi im është ai që duhet ta përfundojë këtë”
Në të njëjtin takim, Kurti foli edhe për një qasje tjetër të Shteteve të Bashkuara ndaj Serbisë.
Ai tha se Uashingtoni po tenton teorinë e karrotës për të larguar Beogradin nga Moska. Qartazi Kurti preferon shkopin për Serbinë kur arsyeton se sjellja e butë ndaj tyre nuk ka funksionuar asnjëherë.
Albin Kurti, Kryeministër: “Aty ku kemi disa pengesa është në diplomaci, sepse, sipas meje, SHBA-ja e konsideron shumë të rëndësishme që ta tërheqë Serbinë nga hemisfera lindore, sepse Serbia është e lidhur ngushtë me Moskën dhe ne, duke qenë të palëkundur në sundimin e ligjit, demokracinë, sovranitetin shtetëror dhe integritetin territorial, disa politikanë dhe diplomatë në SHBA vlerësojnë se ne nuk po e ndihmojmë SHBA-në që ta shkëpusë Serbinë nga Federata Ruse. Por, sinqerisht, ky nuk duhet të jetë problemi im”
Mosbindjen ndaj kërkesave të Shteteve të Bashkuara, Kurti e konsideorn normale. Ai e pranon se duket pak ekstrem për shkak se kryeministrat e mëparshëm nuk kanë thënë “jo” asnjëherë.
Albin Kurti, Kryeministër: “U dukem shumë ndryshe nga parardhësit e mi, kjo është barra e lënë nga paraardhësit e mi që kanë qenë shumë të butë. Unë tani jam normal por dukem pak ekstrem për shkak të paraardhësve të mi të cilët nuk kanë qenë normalë”
Por a është Serbia arsyeja e vetme e tensioneve mes Kurtit dhe amerikanëve? Sulmet e vazhdueshme ndaj Gjykatës Kushtetuese për vendimet e saj, sidomos pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, nuk janë pritur mirë.
Drejtësia është një nga fushat ku Shtetet e Bashkuara kanë investuar shumë dhe kujdesen të mbetet e paprekur nga politika.
Zenun Halili, Profesor, doktor i shkencave politike: “Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë konstatuar se në momentin aktual sjelljet dhe veprimet e qeverisë aktuale posaçërisht të kryeministrit nuk janë në vijën e duhur, nuk ia mundësojnë SHBA të luajnë më rolin që ata dëshirojnë të luajnë për Kosovën dhe mund ta rrezikojnë paqen dhe stabilitetin e brishtë sidmos në veriun e vendit. Shtetet e Bashkuara janë të pakënaqura me qasjen që e kas pasur kryeministri aktual ntyrisht që edhe me kritikat që i janë bërë institucioneve të pavrura në rastin konkret Gjykatës Kushtetuese, edhe ajo ka qenë diçka që i ka bërë të ndjehen jo mirë me sjelljen e lidershipit aktual të Kosovës”
Belgëzim Kamberi, Analist: “Realisht kur ndodhi kritika apo sulmi ndaj Gjykatës Kushtetuese ato nuk janë të ndërlidhura vetëm me Serbinë janë të ndërlidhura edhe me respektimin e institucioneve të pavarura dhe të ndara nga pushteti ekzekutiv pra do të thoja që nëse për ta përdorur gjuhën e kryeministrit nëse ka dallime atëherë dallimet janë përtej çështjes dhe mënyrës se si qeveria i qaset politikës me Serbinë zyrtare por janë edhe me çështje të marrëdhënieve ndëretnike, çështjeve të komuniteteve joshumicë, por edhe me çështjen e sundimit të ligjit dhe respektimin e shtetit ligjor dhe të demokracisë së brendshme në Kosovë”
Ashtu sikurse në zgjedhjet parlamentare të shkurtit, edhe në zgjedhjet lokale, Lëvizja Vetëvendosje dështoi të bllokonte pjesëmarrjen e Listës Serbe, me arsyetimin se mbrapa saj janë njerëz të dyshuar për terrorizëm.
Po ashtu, edhe ngërçi me konstituuimin e Kuvendit të Kosovës për shkak të moszgjedhjes së nënkryetarit nga komuniteti serb, ngjalli reagime tek bashkësia ndërkombëtare.
Belgëzim Kamberi, Analist: “Çështja e zgjedhjes së përfaqësuesit serb në Kuvendin e Kosovës është diçka që tashmë është ndërlidhur dhe me çështjen e procesit të veriut apo qysh po e thonë administrata amerikane e ka mbushur kupën sepse kjo tashmë nënkupton edhe përfaqësimin në institucionet qendrore të Republikës së Kosovës dhe jo vetëm çështje që kanë të bëjnë vetëm me çështjen e sovranizimit dhe sigurisë në veri dhe çështjen e komunave në nivel lokal që pritet të plotësohet me zgjedhjet lokale”.
Dialogu strategjik është një proces që Departamenti amerikan i Shtetit në shumicën e rasteve zhvillon me vende të ndryshme të botës me synim avancimin e marrëdhënieve bilaterale.
Pezullimi i këtij procesi solli reagime të shumta, sidomos kur ditë më vonë u konfirmua se një i tillë do të niste me Serbinë.
Vlora Çitaku, ish-ambasadore e Kosovës në SHBA, PDK: “Dialogu strategjik është një nga instrumentet që SHBA përdorin për të ndërtuar raporte me vende anë e kënd botës dhe pezullimi i një procesi të tillë, përtej dëmit në fushën politike, diplomatike por edhe ekonomike i shkakton Kosovës dhe një dëm të madh reputacional në arenën ndërkombëtare sepse qartazi Kosova shihet si pala e papërgjegjshme në mënyrën se si i ndërton raportet me aleatët”
Gentian Toshkëzi, Konsull Nderi i Shqipërisë në Filadelfia: “Një prishje apo një krisje në këtë marrëdhënie do të ishte e rrezikshme sidomos për Kosovën por edhe për shqiptarët të cilët gjithashtu janë të përfshirë në çështjen e Kosovës, dhe mendoj që duhet marr seriozisht nga politika kosovare, nga politika e Kosovës dhe nga ata që vendosin për këto lloj marrëhhëniesh me Amerikën në qoftë se i dalin kundër një politike amerikane këtij shteti të fuqishëm i cili ka qenë në favor të Kosovës dhe shqiptarëve, ne rrezikojmë vetveten”
Zenun Halili, Profesor, doktor i shkencave politike: “Për mua është shumë shqetësuese kjo, dikush e sheh që nuk është por për mua është shumë shqetësuese sepse se kjo është, si këta që po e perdorin nëpër emisione, si flakaresh për Qeverinë e Kosovës respektivisht për kryeministrin aktual në detyrë, zotëri Kurtin i cili sipas tij me veprimet e tij ka ndikuar që t’ia vështirësojë SHBA punën për të mirën e Kosovës, natyrisht që është kjo serioze, dikush nuk po e trajton kështu, por për mua është serioze”
Ndikimi i Serbisë në raportet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara nuk është për t’u nënvlerësuar, kjo edhe më shumë për shkak të neglizhencës së shtetit të Kosovës.
Aktualisht, referuar Aktit të Regjistrimit të Agjentëve të Huaj (FARA) të Departamentit amerikan të Drejtësisë, Serbia ka 6 kontrata aktive lobimi në Shtetet e Bashkuara, për ndryshim nga Kosova që nuk e ka asnjë.
Këto kontrata që Serbia i ka lidhur përmes Qeverisë, ministrive apo Ambasadës së saj në SHBA, kanë në qendër komunikimin dhe depërtimin e zyrtarëve serbë tek grupet e interesuara dhe siç thuhet shpjegimin e qartësimin e politikave serbe.
Zenun Halili, Profesor, doktor i shkencave politike: “Neve shqiptarët në përgjithësi jemi popull euforik dhe folklorist e them unë, pas arritjes së pavarësisë dhe pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për legalitetin e pavarësisë së Kosovës ne sikur jemi ndalur, kemi thënë që u krye, edhe lobimi në Shtetet e Bashkuara ka ngecur edhe ne këtu s’kemi punuar sa duhet dhe Serbia kur e ka pas çfarë ndodhi është rikthyer me një lobim të jashtëzakonisht të madh e dini ministrin e jashtëm aktual Gjuriç që ka qenë ambasador në Uashington çfarë raporte është munduar të krijojë dhe e dini që Serbia është shtet i rëndësishëm për SHBA dhe për Bashkimin Europian”
Gentian Toshkëzi, Konsull Nderi i Shqipërisë në Filadelfia: “Mendoj që Serbia është mirëorganizuar për të lobuar për çështjen e vet ndonëse ka disfavoret e të qenit Serbi dhe dihet tashmë që Amerika ka luajtur një rol në favor të Kosovës dhe shqiptarëve dhe jo në favor të Serbisë deri më sot dhe nuk mendoj që ata janë në ndonjë avantazh, lobimi që ata bëjnë është çështje e tyre e brendshme, ata sigurisht organizohen për këto lloj lobimesh por gjithashtu është një shembull apo thirrje për ne për të të gjithë shqiptarët që të fillojnë të lobojnë e të organizohen për çështjen e shqiptarëve dhe sidomos të Kosovës e cila është një çështje sensitive në këto momente”
Qeveria në detyrë insiston se bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara në fusha si mbrojtja dhe zhvillimi ka ecur mjaft mirë.
Gjithashtu përmenden fakti që Kosova ka pranuar të strehojë afganë më herët dhe tashmë është e gatshme të presë edhe të dëbuar të tjerë nga Shtetet e Bashkuara sipas kërkesës së Uashingtonit.
Albin Kurti Kryeministër: “Bashkëpunimi ushtarak po vijon, me ç‘ rast blerja e pajisjeve dhe municioneve me administratën aktuale po shkon edhe më mirë. Kurse në shtyllën e zhvillimit, qeveria jonë hoqi tarifën 10% ndaj produkteve me origjinë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, administrata e re atje vazhdoi programin Kompakt të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit për Republikën e Kosovës”
Kritika ka edhe për faktin se shpesh marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara shndërrohen në beteja të politikave ditore në Prishtinë.
Vënia në rrezik e aleancave strategjike për një grusht votash nuk shihet si veprim i zgjuar.
Gentian Toshkëzi, Konsull Nderi i Shqipërisë në Filadelfia: “Të them të drejtën te jem i sinqertë me duket se po bëhet kjo lloj sakrifice për politika të brendshme dhe nuk më vjen mirë që të krijojhen qarje apo krisje të tilla me politikën amerikane dhe Amerikën si një shtet mjaft i fuqishëm sot dhe që Kosova dhe shqiptarët kanë nevojë për këtë lloj mbështetje”
Zenun Halili Profesor, Doktor i Shkencave Politike: “Është e vërtetë fatkeqësisht nuk do të doja të ishte kështu por të gjitha këto veprime po e kanë bazën te elektorati, te votat dhe natyrisht që nuk është e mirë sepse ne nuk e kemi komoditetin për të rrezikuar aleancat me Shtetet e Bashkuara në radhë të parë dhe me vendet e tjera që i kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për lirinë, pavarësinë dhe shtetndërtimin e Republikës sonë, pra duhet të jemi të kujdesshëm”
Për të ardhmen e këtyre raporteve do të tregojë koha. Ambasada amerikane i tha A2 CNN se do të vëzhgojnë veprimet e Qeverisë në detyrë.
Si test i parë pritet të jetë zgjedhja e nënkryetarit serb të Kuvendit e më pas edhe zgjedhjet lokale. Padyshim që kërkohet të mos ketë asnjë veprim në drejtim të mbylljes së strukturave paralele në sektorin e arsimit dhe të shëndetësisë që operojnë në veri.
Ambasada Amerikane: “Ne dëshirojmë të ecim përpara me qeverinë në detyrë, por na nevojitet një partner që e kupton rëndësinë e shmangies së veprimeve destabilizuese, që është i përkushtuar për të avancuar stabilitetin rajonal dhe për të mbrojtur të drejtat e të gjithë qytetarëve të Kosovës. Ne do të vazhdojmë të vlerësojmë veprimet e qeverisë në detyrë”
Ndaj kryeministrit në detyrë vlen kërkesa për të ndryshuar kurs dhe për të pasur një bashkëpunim të ngushtë me Uashingtonin.
Ka një të vërtetë në përshkrimin që vetë Kurti i bën raporteve mes dy popujve, që ato i tejkalojnë qeveritë.
Albin Kurti Kryeministër: “Raportet, marrëdhëniet dhe lidhjet ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe popujve tanë, janë të thella dhe i tejkalojnë qeveritë. Ato janë ndërtuar mbi një histori të gjatë dhe me themele të forta, të bazuara në vlera të përbashkëta dhe arritje të rëndësishme. Ne jemi të bindur se komunikimi i vazhdueshëm, i cili është i rregullt, do të bëjë të mundur që të vazhdojmë të ecim përpara së bashku”
Shtetet e Bashkuara në këto momente nuk flasin për masa të tjera pas pezullimit të dialogut të planifikuar strategjik.
Por sigurisht që në rast se nuk ka reflektim nga ana e kryeministrit në detyrë dhe kabinetit të tij, mund të ketë ndëshkime të tjera.
Belgëzim Kamberi, Analist: “Nga deklaratat që kemi pa nga zyrtarët amerikanë nuk përjashtohet mundësia edhe vetë kanë deklaruar që mund të kemi ndëshkime të tjera. Ajo çfarë do të nënkuptonte ndëshkime është vështirë e parashikueshme, por ajo që mund të lexojmë si nëntekst është që ndëshkimet më shumë do të ishin në raport me Qeverinë e Kosovës, me ekzekutivin, më kryeministrin sesa që do të ishin natyrisht me atë që mund ta quajmë me popullin e Kosovës apo me bashkëpunimin strategjik të Kosovës”.
Raportet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara janë si një martesë e gjatë, ndërtuar mbi besim, respekt dhe histori të përbashkët. Si në çdo lidhje, ka sfida, mosmarrëveshje dhe tensione, por divorci nuk është e nuk duhet të jetë asnjëherë opsion. m.p.