‘Ahengu Shkodran’ ndez qytetin e artit, muzikës dhe trashëgimisë kulturore

Në zemër të Shkodrës, në kuadër të Ditës Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore, u rikthye për të 13-ën herë “Ahengu Shkodran”, një festë që tashmë është shndërruar në pjesë të pandashme të jetës shpirtërore dhe kulturore të qytetit.

Dhjetëra qytetarë e artdashës u mblodhën për të shijuar interpretimet e grupit “Karajfilat që ka Shkodra”, duke u zhytur në tingujt e këngës së vjetër shkodrane.

Organizatoret theksuan se kënga popullore është një pasuri e gjallë që trashëgohet brez pas brezi, duke mbetur dëshmi e shpirtit të qytetit.

“Jam shumë i kënaqur që ahengu Shkodran po vazhdon të jetë interes nga viti në vit. Ishte risi këtë vit që ne e sollëm ahengun shkodran këtu në zemër të Shkodrës pra në Piacë, këtu që janë bërë gjithmonë ato xhirot e mbrëmjes nën meloditë Shkodrane dhe risi sivjet ishte gjithë përfshirja, pra futja edhe e kalamajve dhe fëmijëve të vegjël për ta mësuar këngën shkodrane dhe për ta trashëguar”, thotë Bardhyl Hysa, udhëheqës artistik.

Magjinë e këtij edicioni e pasuroi edhe këngëtarja shkodrane Albana Fani, e cila erdhi posaçërisht nga SHBA për të qenë pjesë e këtij përjetimi, që për të ishte një kthim i veçantë emocional te rrënjët dhe muzika e vendlindjes.

“Gjithmonë kur vij në Shkodër është një emocion. Unë jam rritur me këngën shkodrane, e kemi kënduar në shtëpinë e pionierit, nëpër oborre, në klubin e rinisë e gjithkund. Një gjë e bukur, një gjë fantastike dhe shpresoj që Shkodra t’i mbajnë gjallë këto këngë me gjithë këto talente të reja që kanë. Shpresoj shumë te Shkodra, te arti, te e bukura, sepse e kemi pasur trashëgim dhe duhet ta çojmë më përpara gjithmonë”, shprehet ajo. m.p.