Shërbimi i Inteligjencës së Jashtme i Rusisë (SVR) ka akuzuar shërbimet ukrainase se po përgatisin një “provokim sensacional” në territorin e Polonisë, i cili sipas Moskës synon të përfshijë NATO-n drejtpërdrejt në luftën në Ukrainë.
Në deklaratën e shpërndarë nga agjencia ruse TASS, SVR pretendon se plani parashikon një sulm komando dhe përdorimin e dronëve ndaj infrastrukturës kritike polake. Pasojat e një veprimi të tillë, sipas Rusisë, do t’i atribuheshin Moskës dhe Minskut, duke u përdorur si pretekst për përshkallëzim të mëtejshëm.
Sipas inteligjencës ruse, në këtë operacion do të përfshiheshin edhe luftëtarë nga grupe të armatosura të lidhura me Kievin, si Legjioni i Lirisë së Rusisë dhe Regjimenti K, të cilët kanë marrë pjesë edhe në luftime brenda territorit rus.
Arrestim në Poloni, dyshime për lidhje me Nord Stream
Paralelisht me akuzat e Moskës, Sky News raporton se autoritetet polake kanë arrestuar një shtetas ukrainas të kërkuar nga Gjermania për përfshirjen në shpërthimet e gazsjellësit Nord Stream në vitin 2022.
Sistemi Nord Stream, i përbërë nga NS1 dhe NS2, transportonte gaz rus drejt Gjermanisë përmes Detit Baltik. Shpërthimet shkatërruan tre nga katër linjat e tubacioneve, duke e lënë funksional vetëm një tubacion të NS2 dhe duke shkaktuar një krizë të madhe energjetike në Europë.
Ngjarja u cilësua si një nga incidentet më të rënda të konfliktit ruso-ukrainas, ndërsa akuzat dhe kundërakuzat mes palëve vijojnë ende sot. Një raport i inteligjencës amerikane i vitit 2023 sugjeroi se pas shpërthimit qëndronte një grup pro-ukrainas, por deri më tani asnjë organizatë nuk ka marrë përgjegjësinë zyrtare.
Këto zhvillime rrisin më tej tensionin mes Moskës, Kievit dhe vendeve të NATO-s, në një kohë kur konflikti në Ukrainë po hyn në vitin e tij të tretë pa shenja të një zgjidhjeje diplomatike./E.S