“Europa do luftë, por ne nuk ndërtojmë të ardhmen me gjakun e të rinjve”

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, deklaroi se Bashkimi Europian po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një projekt lufte dhe se Hungaria nuk do t’i bashkëngjitet kësaj rruge.

Sipas tij, në Bruksel është thënë hapur se detyra e dekadës së ardhshme është mposhtja e Rusisë në frontin lindor, gjë që sipas Orbán do të thotë se çdo qytetar, çdo ekonomi dhe çdo shtet-komb europian duhet t’i shërbejë këtij qëllimi nëse është pjesë e Unionit.

“Ne, hungarezët, këtë nuk e duam. E megjithatë duan të na detyrojnë. Këtë, miq të dashur, e quajmë shtypje. Nuk jemi të befasuar, kemi parë edhe më parë gjëra të tilla.”-tha ai.

Orban e krahasoi retorikën e Brukselit me kohët e komunizmit, ku sipas tij flitej për “liri” ndërkohë që realiteti ishte shtypje. “Tani, kur Brukseli flet për paqe, në fakt nënkupton luftë.”-u shpreh ai.

Kryeministri hungarez paralajmëroi se nëse Europa vazhdon me këtë qasje, të rinjtë do të dërgohen në fronte, pasuritë do të përdoren për qëllime lufte dhe kontinentin do ta presë mjerimi ekonomik.

Ai nënvizoi gjithashtu se popujt e Europës Qendrore, si hungarezët dhe sllovakët, i dinë mirë pasojat e luftës.

“Jetojmë në kohë kur na duhet mençuri, qetësi dhe gjakftohtësi. Duhet ta përsërisim vazhdimisht: ne besojmë në fuqinë e dashurisë dhe të bashkimit. Kush mëson nga e kaluara, mbron të ardhmen.”-përfundoi Orban. m.p.