Kreu i Pentagonit, Pete Hegseth, zhvilloi sot një takim të jashtëzakonshëm me qindra gjeneralë dhe admiralë amerikanë në bazën e Marinsave në Quantico, duke shpallur një ndryshim rrënjësor të filozofisë së Departamentit të Mbrojtjes. Ai e quajti tashmë institucionin “Departamenti i Luftës”, duke deklaruar se epoka e korrektësisë politike ka marrë fund.
Hegseth tha se standardet fizike në ushtri do të jenë të larta dhe të njëjta për të gjithë, pavarësisht gjinisë, duke vënë theksin te performanca në betejë mbi çdo kriter tjetër. Ai kritikoi ashpër zyrat dhe programet për diversitet, barazi dhe përfshirje (DEI), duke i quajtur “mbeturina ideologjike toksike” dhe njoftoi mbylljen e tyre.
“Epoka e lidershipit ‘politikisht korrekt’, e kujdesshme për të mos lënduar ndjenjat e askujt, ka mbaruar këtu dhe në çdo nivel,” tha Hegseth, duke shtuar se çdo gjeneral apo admiral që nuk pajtohet me këtë qasje duhet të japë dorëheqjen.
Takimi u zhvillua në një atmosferë të tensionuar, ndërsa Hegseth paralajmëroi se strategjia e re kombëtare e mbrojtjes do të përqendrohet më shumë tek siguria dhe mbrojtja e brendshme, duke ndryshuar fokusin nga kërcënimet ndërkombëtare si Kina./E.S