Ikën krahu i djathtë i Ramës/ Zbulohet emri surprizë që shkon pranë kryeministrit

Shefja e kabinetit të kryeministrit, Vali Bizhga, ka dhënë dorëheqjen pas shumë vitesh në këtë detyrë. Bizhga ka qenë pranë administratës së Edi Ramës që nga koha kur ai drejtonte Bashkinë e Tiranës dhe konsiderohej krahu i djathtë i kryeministrit.

Sipas burimeve, vendimi për dorëheqje lidhet edhe me probleme shëndetësore që Bizhga ka kaluar në të kaluarën, përfshirë një betejë me kancerin, të cilën e kishte fituar. Ajo mori postin e drejtoreshës së kabinetit të Këshillit të Ministrave në vitin 2013 dhe gjatë gjithë këtyre viteve ka mbajtur një profil të ulët publik.

Në vend të saj, detyrën e merr Vilma Premti, e cila ka shërbyer më parë si drejtore e kabinetit të kryetares së Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, dhe prej shkurtit të vitit 2022 ka qenë Drejtore e Kabinetit të Ministres së Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali./E.S