Kryeministri i sapoemëruar i Francës, Sébastien Lecornu, është paditur nga një sindikatë e punonjësve të arsimit për deklarim të rremë të diplomës universitare. Sipas hetimit të publikuar nga portali investigativ Mediapart, Lecornu ka pretenduar publikisht se ka përfunduar një master dyvjeçar në të drejtën publike, ndërsa në realitet ka kryer vetëm vitin e parë të këtij cikli studimesh në Universitetin Paris Panthéon-Assas.
Padia është dorëzuar në Gjykatën e Drejtësisë së Republikës, organ kompetent për gjykimin e anëtarëve të qeverisë, ku kryeministri akuzohet se ka “dashur të krijojë bindjen se është zotërues i një masteri” dhe se ka “përdorur me vetëdije një titull që nuk e zotëron”.
Avokati i sindikatës paditëse, Vincent Brengarth, ka deklaruar se mungesa e një masteri nuk është tregues paaftësie, por transparenca mbi arsimin e ministrave është e rëndësishme për besueshmërinë e universiteteve publike dhe nderin e mësimdhënësve.
Lecornu ka pranuar publikisht se ka përfunduar vetëm Master 1, duke e cilësuar polemikën si “të rreme” dhe duke paralajmëruar një padi kundër sindikatës për “kallëzim të rremë”. Biografia e tij në faqen zyrtare të qeverisë është korrigjuar për të reflektuar vetëm studimet në juridik, ndërsa në LinkedIn mbetet ende shënuar si “Master në të drejtë publike, 2005–2008”.
Ky skandal vjen në një moment delikat, pas emërimit të Lecornut nga presidenti Emmanuel Macron, ndërsa ai duhet të prezantojë listën e ministrave dhe projektbuxhetin për vitin 2026 brenda javës. Kryeministri ka përjashtuar rritjen e taksave për të pasurit dhe ka premtuar lehtësime fiskale “kryesisht në favor të punës”.
Ndërkohë, tensionet politike rriten, me opozitën që paralajmëron protesta dhe një mundshëm mocion mosbesimi ndaj qeverisë, nëse nuk ndodhin ndryshime. Sekretari i Partisë Socialiste, Olivier Faure, ka deklaruar se nëse situata nuk ndryshon, “kjo qeveri mund të rrëzohet dhe të pasohet nga shpërndarja e Parlamentit”.