Muaji gusht ka sjellë një rritje të kursimeve në lekë dhe sidomos në valutë, një tendencë e përhershme sezonale kjo që lidhet si me prurjet e emigrantëve dhe vitet e fundit edhe me të ardhurat që gjenerohen nga turizmi.
Statistikat e Bankës së Shqipërisë bënë të ditur, se stoku i kursimeve në lekë në fund të muajit gusht ishte 671.7 miliardë lekë, me një rritje prej 0.91%, ose rreth 6.1 miliardë lekë më shumë në krahasim me muajin e mëparshëm. Në raport me korrikun, kur depozitat në lekë me bazë mujore u shtuan me 10.5 miliardë lekë, ritmet e rritjes janë ngadalësuar.
Me bazë vjetore (gusht 2025/gusht 2024), depozitat në monedhën vendase janë rritur me 13%, ose gati 77 miliardë lekë më shumë.
Në korrik dhe në gusht, një periudhë sezonale, kur ka si prurje nga emigrantët ashtu dhe të ardhura nga turizmi është rikthyer rritja e depozitave në valutë, pas ngadalësimit të qershorit.
Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, stoku i depozitave në monedhën e përbashkët ishte 8.49 miliardë euro në fund të muajt gusht, me një rritje prej 227 milionë eurosh, ose 2.7% më shumë në raport me muajin e mëparshëm.
Rritja është ndikuar si nga korporatat private e publike, ashtu dhe individët.
Megjithatë e krahasuar me vitet e mëparshme, shtesa e muajit gusht është më e ulëta që nga viti 2020, kur vendi po vuante pasojat e pandemisë.
Në gusht 2024, në banka hynë si formë kursimesh në euro 292 milionë euro më shumë, në të njëjtin muaj të 2023-t shtesa ishte 286 milionë euro, në gusht 2022 në 257 milionë euro dhe në 2021 ishte 248 milionë euro.
Përgjithësisht rritja e depozitave në valutë në gusht reflekton prurjet e emigrantëve, por vitet e fundit fluksi i madh i turistëve ndikonte që shumë familje të jetojnë me turizëm të gjeneronin më shumë të ardhura në euro.
Ngadalësimi i këtij viti tregon për një rritje më të dobët të turizmit, siç kanë deklaruar dhe operatorët, apo stepje të prurjeve të emigrantëve nga euro e dobët.
Me bazë vjetore (gusht 2025/gusht 2024), depozitat në monedhën e përbashkët janë rritur me 7.2%, ose 570 milionë euro më shumë.
Banka e Shqipërisë e raporton totalin e kursimeve (lekë plus valutë) të konvertuara në lekë. Në fund të gushtit, stoku total i depozitave ishte 1.44 trilionë lekë, me një rritje me bazë vjetore prej 105 miliardë lekësh, ose 7.9% më shumë.
Stabilizimi i euros ka ulur ndikimin që rënia e kësaj të fundit dha në tkurrjen e kursimeve në valutë në momentin që ato raportohen në euro.
Të matura sipas monedhave përkatëse, në një vit depozitat në lekë janë rritur me 77 miliardë lekë (rreth 770 mln euro) dhe ato në euro me 570 milionë euro, me një total prej 1.34 miliardë euro që janë shtuar në sistem për një vit./ Monitor