Nga ambasadore në ExxonMobil/ Yuri Kim emërohet në gjigandin amerikan të naftës

Pas një karriere të gjatë dhe të spikatur në shërbimin diplomatik amerikan, ish-ambasadorja Yuri Kim ka nisur një kapitull të ri profesional, duke u emëruar në një pozicion të lartë drejtues në ExxonMobil, gjigandin amerikan në industrinë e naftës dhe gazit.

Kim, e cila shërbeu si ambasadore e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri gjatë viteve 2019-2023, njoftoi më parë daljen e saj në pension nga Shërbimi i Jashtëm Amerikan, duke theksuar se ndjehej mirënjohëse për 29 vitet e shërbimit nën pesë Presidentë dhe dhjetë Sekretarë të Shtetit. Gjatë mandatit të saj në Shqipëri, Kim luajti një rol kyç në mbështetjen e reformës në drejtësi dhe mbeti një figurë qendrore në debatet publike dhe politike në vend.

Para se të emërohej në ExxonMobil, Kim shërbeu si Zëvendës Ndihmës Sekretare e Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike dhe kishte mbajtur poste të rëndësishme diplomatike në vende si Koreja e Jugut, Turqia, Iraku, Japonia dhe Kina. Ajo është gruaja e parë koreano-amerikane dhe personi i parë nga Guami që ka arritur gradën e ambasadores në SHBA.

ExxonMobil, kompania me seli në Teksas dhe një nga korporatat më të fuqishme globale në fushën e energjisë, ka njoftuar gjithashtu një plan afatgjatë ristrukturimi, që parashikon shkurtimin e 2 mijë vendeve të punës globalisht, rreth 3–4% të fuqisë punëtore, për të rritur efikasitetin e kompanisë.

Ky emërim shënon një kthesë të guximshme në karrierën e Yuri Kim, nga shërbimi publik dhe diplomacia në një rol kyç drejtues në sektorin privat të energjisë.