Qeveria, me firmën e sekretarit të përgjithshëm Engjëll Agaçi, njoftoi paraditen e së martës presidentin Bajram Begaj për vakancat e krijuara në gjashtë bashki, përfshirë Tiranën, Vlorën, Beratin, Tepelenën, Matin dhe Cërrikun, duke nisur kështu procesin për mbajtjen e zgjedhjeve të pjesshme.
Sipas Këshillit të Ministrave, vakancat janë krijuar dhe kërkohet nga presidenti caktimi i datës së zgjedhjeve brenda afateve të ligjit zgjedhor. Dekretimi i zgjedhjeve për Tiranën merr një kompliksim ligjor pasi Erion Veliaj, kryetari i shkarkuar i Bashkisë, ka ankimuar vendimin e Qeverisë në Gjykatën Kushtetuese. Sipas nenit 115 të Kushtetutës, vendimi i Këshillit të Ministrave pezullohet deri në shqyrtimin e ankimimit, dhe presidenti nuk mund të dekretojë zgjedhjet për një bashki që ka një proces ankimi në Kushtetuese.
Konstitucionalisti Bledar Dervishaj shpjegoi se presidenti duhet të marrë informacion nga Gjykata Kushtetuese para caktimit të datës për zgjedhjet në Tiranë, ndërsa për bashkitë e tjera ku nuk ka ankime, dekretimi mund të bëhet sipas kodit zgjedhor.
Pritshmëritë janë që Bajram Begaj të dekretojë zgjedhjet për të gjashta bashkitë, përfshirë Tiranën, pasi shkarkimi i Veliajt nuk ka ardhur nga shkelje të rënda të Kushtetutës, por bazuar në ligjin për pushtetin vendor, i cili parashikon shkarkimin nëse një i zgjedhur mungon 90 ditë dhe Këshilli Bashkiak propozon largimin.
“Do duhet që brenda 48 orëve nga marrja e këtij njoftimi, ai të shprehet me dekret për caktimin e datës së zgjedhjeve”, u shpreh Dervishaj./E.S