Ari drejt majave historike, çmimi mund të kapërcejë 4 mijë $ për onz deri në vitin 2026

Pas një periudhe të gjatë stabiliteti, ari është rikthyer fuqishëm në skenën e tregjeve ndërkombëtare si një nga asetet më të kërkuara. Që nga fillimi i vitit 2025, çmimi i arit është rritur me afro 50%, duke arritur nivelin historik prej mbi 3 mijë e 800 dollarësh për onz dhe sipas parashikimeve të disa prej bankave më të mëdha në botë, si J.P. Morgan, Bank of America dhe Goldman Sachs, çmimi mund të arrijë në më shumë se 4 mijë dollarë deri në vitin 2026, e ndoshta edhe 5 mijë dollarë, nëse tendencat aktuale vazhdojnë.

Rritja e fortë e çmimit të arit mbështetet nga tre faktorë kryesorë: politika monetare e SHBA, prirjet e bankave qendrore dhe sjellja e investitorëve institucionalë.

1. Ulja e normave të interesit dhe rikthimi i inflacionit

Rezerva Federale e SHBA (FED) ka rikthyer politikën e uljes së normave të interesit, në përpjekje për të përballuar ngadalësimin ekonomik dhe presionin në tregun e punës. Në shtator, FED uli normën me 0.25 pikë përqindje, edhe pse inflacioni mbeti mbi objektivin prej 2%, duke arritur në 2.9% në gusht.

Historikisht, ari është rritur ndjeshëm në periudhat kur normat bien dhe inflacioni është i lartë. Bank of America raporton se që nga viti 2001, në situata të ngjashme, ari ka pasur një rritje mesatare vjetore prej 13%. Edhe J.P. Morgan tregon se në pothuajse çdo cikël të fundit të uljes së normave nga FED, çmimi i metaleve të çmuara është rritur mesatarisht me 7% në 9 muajt pasues.

2. Rënia e besimit në dollar dhe obligacionet amerikane

Një tjetër faktor kyç është zhvendosja e rezervave valutore të bankave qendrore drejt arit. Pasiguria gjeopolitike, borxhi i lartë i SHBA dhe tensionet tregtare kanë bërë që ari të shihet si alternativë më e sigurt sesa bonot amerikane. Bankat qendrore veçanërisht ato të vendeve në zhvillim si Kina – kanë rritur ndjeshëm blerjet e arit.

Lexo edhe :  Tony Blair në bisedime për të drejtuar autoritetin kalimtar të Gazës

Vetëm në tremujorin e dytë të vitit 2025, bankat qendrore blenë 166.5 ton ar, ndërkohë që për vitin e plotë priten blerje midis 700 dhe 800 tonëve. Kina, e cila aktualisht ka vetëm 8% të rezervave në ar, synon ta rrisë këtë peshë në 20%, çka mund të përkthehet në një kërkesë të qëndrueshme për vitet në vijim.

3. Rritja e interesit nga investitorët

Krahas institucioneve, investitorët privatë dhe fondet ETF po tregojnë gjithashtu një interes në rritje për arin. Sipas të dhënave të Bloomberg, fondet ETF që investojnë në ar kanë arritur një vlerë rekord prej 112.5 miliardë dollarësh, niveli më i lartë ndonjëherë.

Tregu i arit është relativisht i vogël, vetëm 4% e të gjithë aseteve të investueshme globale ndaj edhe rishpërndarje të vogla kapitali mund të kenë ndikim të madh. J.P. Morgan vlerëson se çdo 10 miliardë dollarë të investuara në ar mund të rrisin çmimin me rreth 3% në mënyrë afatshkurtër./e.t