“Unë bërtas, ti fiton”. Berisha letër Ramës: “Nuk e dua bashkinë e Tiranës”

I dashur Edi,

Mos u lodh me Tiranën. Unë nuk dua ta fitoj. Po të fitoj, më bie përralla. Si do t’u them militantëve të mi se këtu nuk ka zgjedhje? Jo, jo. S’më duhet mue kjo gjë. Jam rehat. Kulla ime në mes të Tiranës vlen më shumë se Bashkia Tiranë, godinë krejt e vjetër.

Ti fiton gjithmonë, unë bërtas gjithmonë. Populli është spektator që paguan biletën me votë dhe ne japim shfaqjen si dy aktorë të vjetër që nuk dalin kurrë nga skena. Ti kryeministër i përjetshëm, unë opozitar i përjetshëm. Një lloj dashurie e shenjtë: ti më ruan nga SPAK-u, unë të ruaj nga opozita. Romancë që s’e prish as mortja.

Për kandidatin? Vendos kë të duash. Thjesht vendos një etiketë “nga shoqëria civile” dhe militantët e mi do e përpijnë si qofte në furrë. Edhe nëse është i Sorosit, s’ka problem. Unë Sorosin e kam bërë si kukull për Halloween. E nxjerr herë pas here nga dollapi dhe turma ulëret nga frika, ndërkohë që unë shijoj duartrokitjet e tyre plot verbëri e naivitet.

Ilir Alimehmeti dhe Jorida Tabaku, më të mirët që kam, nuk pranojnë të kandidojnë. Nuk kanë faj të shkretët. Unë i lashë jashtë listave të mia të mbyllura më 11 maj. Jorida, fatkeqësisht, më doli nga plani dhe e kapi parlamentin. Fatmirësisht, Iliri ngeci. Ata e dinë se strukturat e mia demokrate, edhe pse të vyshkura, nuk do të punojnë për to. Pra, nuk kanë shans që ata të më sfidojnë mue duke fituar bashkinë më të madhe në vend. Pse, budalla jam unë? Jam Sali Berisha unë, o Edi! 

Pra, hajde t’i ruajmë postet tona siç kemi bërë gjithmonë. Ti më lë mue karrigen e “opozitarit të madh”, unë të lë ty kolltukun e pushtetit. Populli është mësuar me thërrime. Ky popull ka kaluar bukën me racion, ekzekutimet, internimet, gjithçka, e s’po përballoka dot dyshen tonë moderne?

Me dashuri,
Saliu yt besnik dhe i përjetshëm

(Një shkrim sarkastik për kapitullin 718 Rama-Berisha)