Familja mbretërore e Serbisë ka festuar fundjavën e kaluar një nga ngjarjet më të rëndësishme të saj. Princi Aleksandër, nipi 43-vjeçar i mbretit të fundit të vendit, kurorëzoi dashurinë me stomatologen, Dr. Vesna Jelić, në një ceremoni madhështore të zhvilluar në Villamanrique de la Condesa pranë Seviljes.
Lajmi u konfirmua nga pallati mbretëror, i cili shpalli edhe titullin e ri të nuses si Lartmadhëria e Saj Princesha Dr. Vesna e Serbisë. Në ceremoni morën pjesë figura të rëndësishme të familjeve mbretërore, mes tyre Princi i Kurorës Aleksandër i Jugosllavisë dhe Princesha Maria da Gloria e Orléans-Braganza.
Ky qytet në Spanjë nuk u zgjodh rastësisht, pasi ka një domethënie të veçantë për Princin Aleksandër: aty janë martuar prindërit e tij dhe aty janë pagëzuar ai dhe vëllai binjak Filip. Çifti zhvilloi dy ceremoni: më 6 shtator u martuan në Pallatin Mbretëror të Beogradit, ndërsa ceremonia fetare në Spanjë mblodhi familjen dhe miqtë më të afërt.
Për këtë rast, nusja veshi një fustan të gjatë të bardhë me qëndisje delikate, të kombinuar me një set vathësh diamanti, të mbajtur më parë nga gjysmë-motra e burrit të saj në një dasmë tjetër mbretërore. Në Spanjë, Dr. Vesna zgjodhi një fustan më të thjeshtë e elegant, me mëngë të gjera dhe detaje të rafinuara.
Aleksandri, i cili është edhe kushëri i Mbretit Charles të Britanisë, e shoqëroi martesën me një mesazh emocional në rrjete sociale, duke u shprehur i lumtur për hyrjen e një anëtareje të re në shtëpinë mbretërore Karadjordjeviç. “Martesa është kapitulli ku ‘ne’ bëhet më i rëndësishëm se ‘unë’,” shkroi ai, duke uruar çiftit dashuri dhe mirëkuptim.
Ceremonia e plotë në Serbi do të organizohet në një moment tjetër, pasi familja ka vendosur të shmangë festimet e mëdha për shkak të situatës së ndërlikuar që po kalon vendi./e.t