Monika Kryemadhi: Ilir Meta është flori, akuzat ndaj tij janë trillime

E ftuar në emisionin “Log.” në News24, ish-kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, ka komentuar zhvillimet lidhur me hetimin e SPAK ndaj saj, duke u ndalur edhe te akuzat e ngritura ndër vite ndaj ish-bashkëshortit të saj, Ilir Meta.

Në një prononcim të drejtpërdrejtë, Kryemadhi ka mohuar kategorikisht ekzistencën e të ashtuquajturit “flori i Kërrabës”, një çështje që sipas saj është përdorur në mënyrë të përsëritur për të njollosur figurën e Metës.

“E mbani mend floririn e Kërrabës që akuzonin Ilir Metën se e kishte vjedhur? Ilir Meta është flori, sepse ka shpirtin flori,” deklaroi Kryemadhi, duke shtuar se vetëm një njeri me “zemër të artë” do të kishte bërë sakrificat që, sipas saj, Meta ka bërë në politikë dhe në jetën publike.

Ajo gjithashtu hodhi poshtë akuzat për ekzistencën e llogarive bankare të fshehta në Angli.

“Doli që floriri i Kërrabës nuk ekziston fare në çështjen e Ilir Metës. U tha që kemi llogari bankare në Angli, nuk ekzistojnë,” theksoi ajo, duke i cilësuar këto pretendime si pjesë të një fushate shpifjesh dhe manipulimi publik.

Deklaratat e Kryemadhit vijnë në një kohë kur SPAK po vijon hetimet ndaj saj për çështje të pasurisë dhe burimeve financiare, ndërsa vëmendja publike dhe politike ndaj çiftit të njohur ka qenë e shtuar./E.T