Banka e Shqipërisë ka rritur ndjeshëm blerjet e valutës në tremujorin e dytë të vitit. Sipas informacionit mbi ndërhyrjet në tregun e parasë, gjatë tremujorit të dytë të këtij viti Banka Qendrore ka blerë gjithsej 161.6 milionë euro në tregun e brendshëm valutor.
Nga këto, 122.1 milionë euro ishin blerje të realizuara nëpërmjet ankandeve të programuara, në funksion të rritjes së rezervës valutore, ndërsa 72.7 milionë euro ishin blerje direkte, në përmbushje të objektivave të politikës monetare dhe stabilitetit financiar.
Më datë 9 maj të këtij viti, Banka e Shqipërisë rifilloi blerjet direkte të valutës në treg, me qëllim frenimin e forcimit të mëtejshëm të Lekut në kursin e këmbimit me Euron.
Duke shtuar edhe 33.2 milionë euro të blera në ankandet e tremujorit të parë, vlera totale e blerjeve për 6-mujorin 2025 ka arritur në 194.8 milionë Euro.
Megjithatë, blerjet e valutës këtë vit janë më të ulëta krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Për 6-mujorin 2024, Banka Qendrore pati blerë 271.8 milionë euro në tregun e brendshëm. Viti i kaluar shënoi njëkohësisht vlerën më të lartë historike të blerjeve të valutës nga Banka Qendrore, me një shumë totale prej 933 milionë eurosh deri në fund të vitit.
Blerjet e valutës nga Banka e Shqipërisë e kanë ngadalësuar rënien e kursit të këmbimit Euro-Lek këtë vit, por pa arritur ta frenojnë plotësisht këtë rënie. Në fund të muajit qershor, monedha europiane këmbehej me 98.08 lekë, në rënie vjetore me 2.2%. Gjatë tremujorit të tretë të vitit, kursi pësoi rënie të mëtejshme, duke shënuar një minimum të ri historik prej 96.78 lekësh në muajin shtator.
Gjatë vitit 2025, Banka e Shqipërisë ka programuar gjithsej 22 ankande për blerje valute dhe deri tani janë zhvilluar 17 prej tyre.
Përqendrimi më i lartë i ankandeve ka qenë në muajt korrik-gusht, kur edhe oferta valutore është më e madhe. Gjithsej, Banka e Shqipërisë synon të blejë përmes ankandeve 270-350 milionë euro, ose 20 milionë euro më shumë krahasuar me objektivin e vitit 2024, si në intervalin e poshtëm, ashtu edhe në atë të sipërm.
Megjithatë, shumë totale e blerjeve do të ndikohet shumë edhe nga volumi i blerjeve direkte, me qëllim shmangien e forcimit të mëtejshëm të Lekut në kursin e këmbimit. Sipas aktorëve të tregut, blerjet direkte këtë vit duket të jenë në vlera pak më të ulëta, por gjithsesi të konsiderueshme, siç treguan shifrat e tremujorit të dytë të vitit./E.T