Grupi më i madh privat i hoteleve në Poloni po u ofron çifteve një nxitje të re për të ngjizur fëmijë gjatë qëndrimit, si pjesë e një përpjekjeje për të ndihmuar në rritjen e lindjeve në vend.
“Arche”, e cila ka 23 hotele në gjithë vendin, ka premtuar të organizojë një festë pagëzimi falas me 10 persona ose një festë laike për prindërit që mund të paraqesin një faturë hoteli të datës rreth nëntë muaj para lindjes së fëmijës së tyre. 2,000 punonjësit e kompanisë janë gjithashtu të kualifikuar për një bonus prej 10,000 zlotys (2,170 euro) për lindjen e një fëmije.
Wladyslaw Grochowski, pronari 73-vjeçar i “Arche”, tha se nisma ishte menduar si një marifet marketingu “gazmor” dhe një pasqyrim serioz i shqetësimeve të tij për përkeqësimin e tendencave demografike, me ekspertë vendas që parashikojnë se popullsia e Polonisë do tkurret në vitin 2025 për të shtatin vit radhazi.
Ndërsa pothuajse çdo vend në botë mund të ketë një popullsi në rënie deri në fund të këtij shekulli, problemet demografike të Polonisë janë veçanërisht të mprehta midis vendeve të tjera të BE-së.
Shkalla e saj e fertilitetit prej 1.2 fëmijë për grua në vitin 2023 është ndër më të dobëtat në bllok, sipas të dhënave më të fundit të Eurostat, me Maltën, Spanjën dhe Lituaninë pas saj.
“Tani po flasim vetëm për sigurinë tonë dhe se si ta mbrojmë Poloninë nga Rusia, por Polonia është gjithashtu e kërcënuar nga demografia jonë shumë e keqe, e cila sigurisht do ndikojë negativisht edhe në shëndetin e ekonomisë sonë”, tha Grochowski për Financial Times.
Popullsia e Polonisë ra me më shumë se 123,000 në vitin 2024, rënia më e madhe e përgjithshme midis vendeve të BE-së për të dytin vit radhazi.
Rënia e lindjeve në Poloni ka detyruar gjithashtu mbylljen e disa reparteve të maternitetit, si ai në qytetin e Zory, i cili u mbyll në korrik. Zory ka 62,000 banorë, por reparti i maternitetit i spitalit të tij trajtoi vetëm 352 lindje vitin e kaluar, nga 445 në vitin 2023 dhe 875 në vitin 2022./e.t