Deputeti demokrat Ivi Kaso zbuloi strategjinë e opozitës pas dekretit të presidentit Bajram Begaj për mbajtjen e zgjedhjeve të pjesshme lokale. Ai e cilësoi dekretimin si të paligjshëm dhe kërkoi nisjen e procedurave për shkarkimin e kreut të shtetit.
“Unë e kam kërkuar para dy javësh shkarkimin e Presidentit Begaj. Kur po vendoseshin masat krahas zërave për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit Niko Peleshit, propozimi im ishte inicimi i procedurave për presidentin që dikur si ministër dekretoi një program kompjuterik. Kujt po i duhet ky president? As noteri nuk e bën atë,” tha Kaso.
Sipas tij, opozita përballet me një dilemë politike dhe etike, pasi data e zgjedhjeve de facto mbetet 9 nëntori, pavarësisht debatit ligjor. “PD do të duhet të marrë një vendim politik që të hyjë në një proces zgjedhor të vështirë për çdo opozitë që pretendon garë të barabartë e me rregulla loje. Zgjedhjet e fundit treguan se kjo qeveri nuk organizon zgjedhje siç e parashikon ligji, por krijon një farsë. Kritikat ndërkombëtare ishin të qarta: një garë e pabarabartë,” u shpreh ai,në A2 CNN.
Duke sjellë në vëmendje rastin e Bashkisë Himarë, Kaso tha se opozita nuk mund të tërhiqet nga beteja politike:
“Opozita ka mision dhe vokacion dhënien e alternativës, betejën me çdo mjet që ka në dispozicion pavarësisht kushteve. Edhe në Himarë kemi pasur një situatë analoge nga ky president. Gjykata Kushtetuese ende nuk ka dhënë vendimin e saj.”
Edhe avokati Indrit Sefa, i ftuar në debat, e cilësoi dekretin e Presidentit Begaj si një “marrëzi juridike”.
“Opozita duhet të bëjë betejën e saj për shkarkimin e presidentit. Ky dekret është tejkalim i çdo norme ligjore,” tha Sefa.