Flotilja Global Sumud, një nismë humanitare ndërkombëtare që kishte si qëllim të çante bllokadën detare izraelite për të dërguar 200 ton ndihma në Gaza, u bllokua mbrëmjen mes 30 shtatorit dhe 1 tetorit nga marina izraelite, disa dhjetëra milje larg bregut.
Karvani përfshinte 40 anije nga mbi 40 vende, por sipas Ministrisë së Jashtme të Izraelit, asnjëra prej tyre nuk arriti të afrohej në ujërat pranë Gazës.
“Provokimi Hamas-Sumud ka përfunduar. Asnjë nga jahtet e provokimit nuk arriti të hyjë në një zonë aktive luftimi ose të shkelë bllokadën legjitime detare”, – tha ministria izraelite.
Nga ana tjetër, organizatorët e flotiljes pohuan se një nga anijet arriti të afrohej pranë bregut, por më pas u ndalua. Të gjithë pasagjerët raportohen të sigurt dhe do të deportohen nga Izraeli drejt Evropës.
Autoritetet izraelite kanë bërë të ditur se nëse edhe ndonjë anije tjetër tenton të afrohet, do të pengohet menjëherë.