Tragjedia në “Karandiru”, revolta e të burgosurve brazilianë që përfundoi me 111 viktima

2 tetor 1992 – Sao Paulo

Përgatiti: Leonard Veizi

Muri i ftohtë dhe i lagësht i Burgut të Sigurisë së Lartë në Karandiru, në zemër të Sao Paulo-s, ka dëshmuar shumë dhunë. Por asgjë nuk mund të krahasohet me tmerrin që u shfaq më 2 tetor 1992. Ajo që filloi si një revoltë e thjeshtë mes bandave të burgosura, u kthye shpejt në një prej kapitujve më të errët dhe më rrëqethës të historisë braziliane.

Kur forcat speciale të Policisë Ushtarake ndërhynë për të shtypur trazirat, pritshmëria ishte rivendosja e rendit. Por reagimi ishte çnjerëzor dhe brutaliteti ishte i paprecedentë. Në vend që të përdornin negociata apo mjete jo-vdekjeprurëse, ata hapën zjarr mbi të burgosurit. Rezultati ishte një masakër: 111 të dënuar u vranë, shumica e tyre të paarmatosur dhe të dorëzuar. Qindra të tjerë mbetën të plagosur rëndë. Raportet e mëvonshme vërtetuan atë që askush nuk donte ta besonte: shumë nga viktimat ishin ekzekutuar nga afër.

Sistemi penal

Masakra e Karandiru-s nuk ishte vetëm një akt i dhunës policore; ajo ekspozoi një sistem penal të kalbur: burgje të mbipopulluara, kushte çnjerëzore jetese dhe një kulturë dhune të institucionalizuar. Kjo tragjedi tronditi opinionin publik vendas dhe ndërkombëtar, duke e kthyer Karandiru-n në simbol të dështimit të drejtësisë braziliane dhe të shkeljeve flagrante të të drejtave të njeriut.

Dëshmia në film

Si çdo tragjedi me përmasa të tilla, dhimbja e Karandiru-s nuk mund të mbetej vetëm në dosjet e policisë. Ajo kërkoi një formë dëshmie, dhe kjo erdhi përmes letërsisë dhe kinemasë.

Ngjarja u bë e përjetshme falë Dr. Drauzi Varela, një mjek që kryente punë vullnetare në burgun më të madh të Amerikës Latine pak para masakrës, duke njohur thellësisht jetën e banorëve të tij. Varella botoi kujtimet e tij në librin “Stacioni Carandiru”, duke na dhënë një pamje nga brenda e jetës së të dënuarve.

Lexo edhe :  28 shtator 1978 – 33 ditë në Fron dhe misteri i fundit i Papa Gjon Pali I

Nga ky libër lindi filmi “Carandiru” (2003), një vepër e fuqishme e regjisorit argjentinas Hektor Babenko. Filmi ndjek historinë e Dr. Varela-s dhe, më thelbësore, sjell në ekran historitë e burrave pas hekurave: marrëdhëniet e tyre, konfliktet, ëndrrat e thyera dhe sidomos brutalitetin që i priste.

Ajo që e bën “Carandiru”-n kaq të fuqishëm është realizmi i tij. Babenko e ka cilësuar si filmin më realist që ka bërë ndonjëherë, një lloj i ri i realizmit brazilian. Për ta arritur këtë, filmi u xhirua pikërisht në vendngjarje, në burgun e çaktivizuar vetëm pak muaj para prishjes së tij në vitin 2002. Kjo zgjedhje e transformon filmin në një dokudramë të gjallë, duke vepruar si një dëshmi kolektive e vetë të burgosurve.

“Carandiru” doli në konkurrencën kryesore të Festivalit të Filmit në Kanë 2003 dhe u vlerësua si një nga filmat më të mëdhenj brazilianë të të gjitha kohërave. Përmes fuqisë së kinemasë, një tragjedi lokale u bë një akuzë universale kundër dhunës shtetërore dhe padrejtësisë. Sot, Masakra e Carandiru-s mbetet jo vetëm një fakt historik i dhimbshëm, por edhe një kujtesë e gjallë kolektive, e ruajtur nga zërat dhe imazhet e atyre që humbën jetën, dhe e përjetësuar nga arti.