Muhammad Ali dhe ballafaqimi i përgjakshëm që ndryshoi përgjithmonë televizionin

Pesëdhjetë vjet më parë, Thrilla në Manila u bë transmetimi i parë i drejtpërdrejt satelitor i HBO-së. Drejtuesja pioniere Kay Koplovitz dhe historiani Craig Leddy i tregojnë Kevin E. G. Perryt natën vendimtare që transformoi median amerikane.

Në mëngjesin e 1 tetorit 1975, Muhammad Ali dhe Joe Frazier hynë në ringun e boksit në Filipine, për të luftuar për titullin e kampionit të botës në peshat e rënda. Thrilla në Manila, të cilën Aliu e fitoi pas 14 raundesh të vështira, shkaktoi tronditje në mbarë planetin – jo vetëm për atë që ndodhi në ring, por edhe për mënyrën revolucionare me të cilën po shihej.

Rreth 9 000 milje larg, në Vero-Biq të Floridës, ishte mbrëmja e 30 shtatorit kur 150 senatorë, kongresmenë dhe drejtues televizivë u mblodhën për të parë se HBO po bëhej rrjeti i parë televiziv në histori që po transmetonte një sinjal të vazhdueshëm – drejtpërdrejt përmes satelitit.

“Nuk do të mund të zgjidhnit një ngjarje më të mirë, në gjithë botën, për të demonstruar fuqinë e satelitëve për një industri të re sesa Thrilla në Manila”, kujton Kay Koplovitz, e cila ndodhej në sallë atë natë. Ajo që pak vite më parë dukej si fantazi shkencore, papritur ishte realitet. Televizioni nuk do të jetë më kurrë i njëjtë.

Koplovitz, e cila më vonë do të bëhej gruaja e parë në Shtetet e Bashkuara që do të drejtojë një rrjet televiziv, atëherë ishte 30-vjeçare dhe ndihmonte në promovimin e ngjarjes për HBO-në. Për të, ajo natë ishte realizimi i një ëndrre të hershme. Në vitin 1966, ende studente, ajo kishte dëgjuar shkrimtarin Arthur C. Clarke – i cili më vonë shkroi 2001: Odiseja hapësinore – teksa mbante një ligjëratë mbi komunikimin satelitor dhe ishte bindur për potencialin e kësaj teknologjie. “Unë jam adhuruese e Arthur C. Clarkeut”, thotë Koplovitz, sot tetëdhjetëvjeçare plot energji, nga shtëpia e saj në Nju-Jork. “Është ai që më hapi sytë për këtë, kur dëgjova ligjëratën e tij për satelitët në orbitë”.

Ajo e kuptoi menjëherë se epoka e re e satelitëve do ta bënte botën të dukej shumë më e vogël, dhe për këtë arsye shkroi tezën e saj të masterit në Universitetin Shtetëror të Miçiganit mbi këtë temë. “Në atë kohë ishim në Luftën e Ftohtë, dhe mua më dukej se kjo ishte një mënyrë për të bashkuar njerëzit për të cilët nuk dinim pothuajse asgjë”, kujton ajo. “Nuk dinim çfarë fshihej pas Murit të Berlinit. Nuk dinim çfarë fshihej pas Murit të Madh të Kinës. Kjo ishte ajo që më motivoi”.

Në atë kohë, opsionet e shikimit televiziv për amerikanët ishin jashtëzakonisht të kufizuara. Në thelb ekzistonin vetëm tri kanale kombëtare: NBCCBS dhe ABC, dhe ky i fundit nuk shpërndahej plotësisht, kështu që shumë zona të Shteteve të Bashkuara as që e kapnin. Siç vë në dukje historiani i televizionit, Craig Leddy, kjo nënkuptonte se një sasi e madhe e pushtetit përqendrohej në duart e këtyre kanaleve, ndërsa ekzistonin shumë pak rrugë për programe të reja. “Treshja e Madhe e transmetuesve ishin këta portierë gjigantë të televizionit”, thotë Leddy. “Dalja e HBO-së, në satelit, me të vërtetë hapi një valë kreativiteti nga njerëz që ndoshta nuk do të kishin pasur mundësi të tjera në televizion”.

HBO (ose Home Box Office) u lansua në nëntor 1972 me premtimin për të sjellë filma të klasit të parë në dhomën tuaj të ndenjjes, por fillimisht pati vështirësi për të tërhequr shikues. Ata përdorën edhe mënyra të pazakonta, si shpërndarja falas e gjelave të detit për Ditën e Falënderimeve – për këdo që pranonte abonimin – teksa pronarët, te Time Inc, ishin të prirë ta mbyllnin kompaninë që po vuante nga financat. Pjesërisht, modeli i tyre i biznesit pengohej nga vështirësitë e shpërndarjes tradicionale. “Ata duhej të transportonin fizikisht këto kaseta të shfaqjeve dhe të thoshin: ‘Kjo do të transmetohet në këtë apo atë orë’”, shpjegon Leddy. Koplovitz shton: “Industria kabllore nuk do të shkonte askund pa programe të reja”.

Satelitët ofruan një zgjidhje, dhe Thrilla në Manila ishte mundësia e përkryer për të dëshmuar se kjo teknologji funksionon në të vërtetë. Presidenti i HBO-së, Jerry Levin, bashkëpunoi me Bob Rosencransin nga ofruesi i kabllos UA-Columbia, i cili e instaloi një antenë 10 metra satelitore në një nga bazat e tij në Vero-Biq, për të marrë sinjalin e drejtpërdrejtë. Ndërsa personalitetet u mblodhën dhe ora e ndeshjes afrohej, në ajër ndjehej një tension i madh. Por, kur pamjet mbërritën qartësisht në orën 22:45, salla shpërtheu në një duartrokitje të fuqishme.

Pritshmëritë për vetë ndeshjen ishin jashtëzakonisht të larta. Dy boksierët ishin përballur për herë të parë në vitin 1971 në Sheshin Madison, në një duel që u quajt Ndeshja e Shekullit ku Frazieri doli fitues. Aliu e mundi atë në ndeshjen e dytë në vitin 1974, përpara se të mposhtte George Foremanin duke u bërë kampion i padiskutueshëm.

Kjo trashëgimi vetëm sa shtoi vëmendjen e medias ndaj mbrojtjes së radhës së titullit të Aliut, të cilën legjenda e shkathët në fjalë e pagëzoi kur talli Frazierin: “Do të jetë një trilla, dhe një killa, dhe një çilla, kur ta rrah atë gorillën në Manila”. Në fund, dueli epik në Filipine kaloi të gjitha pritshmëritë dhe edhe sot konsiderohet si një nga netët më të mëdha në historinë e boksit. Të dy burrat shkëmbyen goditje pas goditjeje, raund pas raundi, duke fryrë syrin e Frazierit deri në mbyllje dhe duke e lënë Aliun të psherëtinte ndaj trajnerit se ishte “më afër vdekjes se kurrë”. Ndërsa ndeshja po vazhdonte, Aliu hoqi mbrojtësen e dhëmbëve Frazierit dhe vazhdoi ta godiste kundërshtarin me gjithë energjinë që i kishte mbetur. Gjyqtari e mbylli këtë përplasje shkatërruese prej 15 raundesh – një raund para fundit.

Lexo edhe :  “Nuk është normale! Yamal harbohej në jaht me 10 vajza njëherësh”

“Nuk do të kishte qenë aq e mirë nëse dikush do të ishte nokautuar që në raundin e parë, gjë që ndodh në boks ndonjëherë”, theksn Koplovitz. “Kjo ishte përballja e tretë mes këtyre boksierëve që njihnin shumë mirë njëri-tjetrin. Gati i vrau që të dy. Të dy dolën absolutisht të dëmtuar, por ne e përdorëm ndeshjen për të ilustruar fuqinë e satelitëve. Ishte e qartë se ky ishte momenti i kthesës”.

Ishte jetike që ngjarja të zhvillohej pa asnjë pengesë. Komisioni Federal i Komunikimeve nuk ua kishte dhënë ende të drejtën kompanive kabllore për të përdorur teknologjinë satelitore, dhe ngjarja ishte menduar posaçërisht për të bindur ligjvënësit se duhej të jepnin dritën e gjelbër. “Duhej të merrnim miratimin për të përdorur satelitët dhe gjithashtu të krijonim politika që do të lejonin operatorët e kabllos të kishin qasje”, shpjegon Koplovitz. “Kanalet e reja kabllore nuk kishin nevojë të merrnin licenca si transmetuesit, kështu që ishte vërtet një treg i lirë”.

Është thënë shpesh se Thrilla në Manila u ndoq nga mbi një miliard shikues në mbarë botën, me shumë njerëz që u mblodhën në kinema për ta parë, megjithëse – duke qenë se kjo do të përfaqësonte një të katërtën e popullsisë botërore të asaj kohe – shifra ka shumë gjasa të jetë e ekzagjeruar. Ajo që dihet me siguri është se një rekord prej 500 mijë tifozësh e ndoqën përmes pagesës në HBO, duke i dhënë hov si vetë rrjetit ashtu edhe industrisë së kabllos në tërësi.

Kërkesa shpërtheu, infrastruktura e kabllos dhe antenat satelitore u instaluan në të gjithë vendin dhe HBO zhvilloi një reputacion si rrjet që transmetonte lloje të programeve të cilat Treshja e Madhe nuk do t’i ketë. “Njerëzit që nuk arrinin t’i ketë programet e tyre në një rrjet transmetues, shkonin te HBO”, thotë Leddy, libri i ri i të cilit, Fast Forward, pasqyron përfshirjen e mëvonshme të Jerry Levinin në lindjen e transmetimit në internet të videove. “Të themi të vërtetën, HBO ishe më provokues. Mund të përdorje fjalë të pista. Kishte nudo! Shumë njerëz iu bashkuan HBO-së për këtë arsye. U jepte njerëzve shumë më tepër liri krijuese dhe Levin e adhuronte këtë. Ai ishte fanatik për teknologjitë transformuese”.

Nuk ishte vetëm HBO që përfitoi. Meqë gjithnjë e më shumë familje po siguronin qasje në televizionin kabllor, pati një shpërthim të rrjeteve të reja. Që në vitin 1980, në Shtetet e Bashkuara ekzistonin tashmë 28 kanale kabllore dhe deri në vitin 1998 ky numër kishte arritur në 174. Koplovitz ishte në pozicion të shkëlqyer për të udhëhequr këtë revolucion. Ajo lansoi rrjetin e saj të fokusuar te sporti, në vitin 1977, duke e rilansuar atë në vitin 1980 si USA Network.

Si drejtuese e rrjetit, Koplovitz u bë personi i parë që negocioi kontrata për mbulimin kabllor me NBA, NHL, MLB dhe një mori ngjarjesh të tjera madhore sportive. Ajo është drejtpërdrejt përgjegjëse për ta bërë sportin, e transmetuar në ShBA, një fenomen të përnatshëm televiziv. “Më parë, transmetohej vetëm në fundjavë”, kujton ajo. “Unë thjesht thashë: ‘Këto aktivitete luhen gjatë gjithë javës. Nuk ka arsye pse njerëzit të mos i shohin gjatë gjithë javës’. Vlera ishte t’ua sillnim njerëzve sportet e ditëve të javës, të mbrëmjeve, dhe ata u abonuan me shpejtësi sapo u bënë të qasshme”.

Ajo nuk ishte e vetme në zbulimin e potencialit të pashfrytëzuar. Në vitin 1980, Ted Turner lansoi CNN-in, kanalin e parë të lajmeve me transmetim 24-orësh. BET u lançua në rrjetin e Koplovitzit po atë vit, përpara se të bëhej kanal më vete në vitin 1983. Showtime u lançua në 1976, Nickelodeon më 1979 dhe MTV në 1981. Levin, i cili vdiq vitin e kaluar, e lidhte zhvillimin e televizionit si një formë arti me këtë periudhë, duke thënë në vitin 2015: “Nuk do të kishte asnjë epokë të artë të programeve sot nëse nuk do të kishte pasur këtë shtim të rrjeteve”.

Në vitin 2025, në epokën e revolucionit të transmetimit në internet dhe shtrirjes universale të përmbajtjes sipas kërkesës, është e vështirë të imagjinosh që vetëm pesë dekada më parë në ekrane kishte vetëm disa shfaqje në të njëjtën kohë. “Sot ka aq shumë zgjedhje, saqë problemi është të gjesh diçka që me të vërtetë do të shohësh”, thotë duke qeshur Koplovitz.

Pasi ka qenë dëshmitare e një ndryshimi kaq të madh, me sytë e saj, Koplovitz është e lumtur të dijë se pati të drejtë kur parashikoi se satelitët do t’i çonin shikuesit në vende për të cilat më parë nuk dinin asgjë. “Amerikanët me të vërtetë nuk ishin të interesuar për produktet e huaja, por sistemi kabllor dhe tani transmetimi në internet dha programe nga e gjithë bota”, thotë ajo. “Është ndryshuar në mënyrë të jashtëzakonshme, dhe unë gjithçka e lidh pas Thrillas në Manila. Ajo ndeshje ndryshoi kursin e historisë së televizionit”. /The Independent