Një ngjarje tragjike ka ndodhur në shtetin Ajova të Shteteve të Bashkuara, ku një 17-vjeçar humbi jetën pasi u qëllua aksidentalisht nga një gjuetar që e ngatërroi me një ketër.
Sipas CBS News, viktima ishte Carson Ryan, 17 vjeç, i cili u qëllua në pjesën e pasme të kokës dhe nuk mundi të mbijetojë.
I riu ndodhej në zonën Brighton të Ajovës si pjesë e një grupi gjuetarësh që kishin dalë për të gjuajtur ketra. Sipas autoriteteve, një prej anëtarëve të grupit e ngatërroi Carson-in me një kafshë dhe hapi zjarr, duke shkaktuar kështu incidentin fatal. Nuk janë dhënë më shumë detaje rreth rrethanave të ngjarjes.
Carson u transportua menjëherë në UI Health Care Medical Center, por fatkeqësisht ndërroi jetë si pasojë e plagëve të marra.
Ngjarjes iu përgjigjën zyrtarët e Departamentit të Burimeve Natyrore të Ajovës, në bashkëpunim me Zyrën e Sherifit të Qarkut Washington.
Carson Ryan ishte pjesë e ekipit të atletikës për të rinj në Washington. Ekipi publikoi një mesazh ngushëllimi në Facebook:
“Ekipi i atletikës për djem i Washington ju lutet të mbani në mendje nënën, familjen, shokët e klasës dhe bashkëlojtarët e Carson gjatë kësaj humbjeje të dhimbshme. Zemrat tona janë të thyera”, tha ai./e.t