“Opozita në hall”/ Ergys Mërtiri: Berisha pengon kandidaturën e re

Analisti politik Ergys Mërtiri ka komentuar  situatën politike në kryeqytet, pas shkarkimit dhe arrestimit të kryebashkiakut Erion Veliaj. Ai u shpreh se opozita gjendet në vështirësi dhe se Partia Demokratike ende nuk ka një kandidaturë të qartë për zgjedhjet e ardhshme.

Mërtiri theksoi se ish-kryeministri Sali Berisha duhet të tërhiqet nga skena politike dhe t’i hapë rrugë një figure të re, e cila do të kishte më shumë mundësi për të maksimalizuar votat opozitare.

“Berisha duhet të lirojë vendin dhe ta mbështesë një kandidaturë të re. Opozita është në hall, nuk ka një emër, sepse e di që do të humbasë. Nuk duan të hyjnë në zgjedhje, sepse do të dalin dramë. Këta nëse kanë luftë reale mes tyre, duhet të mbështesin forcat e reja,” u shpreh analisti.

Sipas tij, kandidati Belind Këlliçi ose Ilir Alimehmeti (varësisht për cilin vendos PD) nuk ka shanse të fitojë bindshëm, veçanërisht për shkak të lidhjes së tyre me Berishën.

“Alimehmeti do të penalizohet sepse është kandidat i Berishës. Do të marrë shumë vota, por jo aq sa të konkurojë me forcë. Kryetari i partisë më të madhe nxjerr kandidatin, por nuk ka fuqinë të rrëzojë Ramën,” shtoi Mërtiri në emisionin Real Story.

Ai nënvizoi se opozita ka nevojë për një figurë të re, që të mbledhë rreth vetes të rinjtë dhe energjinë e re politike, duke i dhënë fund dominimit të “dy dinosaurëve të tranzicionit”.