YLLI PATA – Ka disa ditë që në mjedisin politik të opozitës janë rikthyer “sirenave” që po gumëzhijnë sinjalin e njohur për bojkot, përplasje, braktisje, përkatsisht mos dalje në zgjedhjet vendore të nëntorit, që sapodekretoi presidenti i Republikës.
Jo vetëm nga autorët e kësaj teze, por thjesht mënyra e rikthimit të saj, nuk duket gjë tjetër veçse supa e vjetër e përplasjes civile që u ruajt në frigorifer, po nxirrte sërish për tu ringrohur.
Kush ka ndjekur këtë diskurs përpara vitit 2019, e mban mend se djegia e mandateve dhe bojkoti i zgjedhjeve lokale të 30 qershorit 2019 nuk ishte një rrufe në qiell të pastër, apo një akt politik i papritur siç “di t’i bëj Lul Basha, surprise (kur shkarkoi doktorin)”. Më shumë se një vit rresht në panelet e darkës u thelluan gjatë, gjerë, por edhe thellë, tezat e revolucionit, arsyet e shpërthimit të tij, mjetet që do të përdoren dhe objektivat që do të arrihet.
Diskutimet e nipave postpellazgjikë të komandatit Che, ishin aq të detajuara sa nuk u harruar edhe përmendja e arsenalit të armëve, risjellja e vitit 1997, apo një romantikë e shtuar për armët artizanale të sulmit. Ku mund të përmendet pa asnjë drojë vepra që fliste për dashurinë për “bombën Molotov”. Poetja e njohur që mbushi popullin e 2 marsit me emocionet e spërkatur me benzinë sot nuk është aktive në politikë, por vepra mbetet ama.
Vetëm ka një gjë këtu, pasi për të gjithë atë lojë që e nisën sirenat, e urdhëroi doktori me presidentin, u fajësuan vetëm dy veta: Luli me Monikën. Por kjo e fundit i ra mohit dhe faji i mbeti Lulit. Të gjithë të tjerët, që nga circet e sirenat bëjnë sikur s’dijnë gjë. Të gjithë i bijnë mohit. Ka shumë gjasa që këtë të bëjnë edhe kur, pasi të thellohet hendeku politik në një bojkot eventual. Të thonë që fajin e ka luli i radhës.
Bojkoti, politikisht nuk ka sens në një sistem ku zgjedhjet janë pjesë e lojës dhe sistemit politik. Në çdo vend të botës, një parti braktis garën përpara se parashikon manipulimin. Kur ndodh e denoncon aktin dhe mban qëndrimin politik. Në Venezuelë, asnjëherë opozita nuk ka bojkotuar zgjedhjet, edhe pse janë burgosur rerët e saj, apo janë larguar në ekzil. Por kur ndodh ka denoncuar regjimin e Maduros.
Opozita në Turqi, edhe kur burgosen liderët e saj nuk ka bojkotuar zgjedhjet. E vetmja forcë politike që ka hequr dorë nga zgjedhjet në vitin 2005, është Hamas. Pasi e ka përcaktuar qartë rrugën politike; me dhunë! E të gjithë e dijnë se Hamas nuk është një forcë që kërkon zgjedhje, por arritjen e objektivit me të gjitha mjetet.
Ka shumë gjasa që kjo gjuhë të përdoret edhe në ditët në vazhdim, pasi edhe ata përkrahës të Hamas që flasin në panele dhe e krahasojnë me UÇK-në, nuk janë aspak rastësi. Por një sinjal politik që kërkojnë t përçojnë në opinion. m.p.