Rrezik trazirash nga “Ballistët”/ Ndeshja Rayo–Shkëndija shpallet me rrezik të lartë

Zona e Vallecas është vënë në gatishmëri të lartë për shkak të mbërritjes së tifozëve radikalë të KF Shkëndija Tetovës, ekipit nga Maqedonia e Veriut që këtë të enjte përballet me Rayo Vallecanon në Ligën e Konferencës.

Nga rreth 200 tifozë që shoqërojnë ekipin ballkanik, shumica e të cilëve kanë udhëtuar mbi 3,100 kilometra me autobusë, rreth 100 i përkasin grupimit ultra të djathtë “Ballistët”, të njohur në mbarë Evropën për dhunë, thirrje politike dhe simbole me tematikë naziste.

Ndeshja, e cila zhvillohet në orën 18:45 në stadiumin Vallecas, është shpallur me rrezik të lartë. Ministria e Brendshme spanjolle ka vendosur mbi 320 efektivë të Policisë Kombëtare për të parandaluar trazira. Tifozët mysafirë do të mblidhen në Puerta del Sol, ku do të identifikohen e kontrollohen përpara se të shoqërohen me metro deri në stadium.

“Ballistët”, të themeluar në vitet 1990 në nder të grupit paramilitar fashist shqiptar Balli Kombëtar, kanë një histori të gjatë incidentesh në arenat sportive evropiane. Edhe pse Shkëndija është klub nga Maqedonia e Veriut, tifozët e saj vijnë kryesisht nga komuniteti shqiptar i Tetovës.

Frikë mes tifozëve vendas

Mbërritja e radikalëve ka shkaktuar shqetësim te tifozët e Rayos, të cilët në rrjete sociale shprehen se kanë më shumë frikë sesa gëzim për debutimin evropian pas 25 vitesh. “Duhet të jem shumë i emocionuar, por ndjehem i frikësuar sepse këta njerëz po vijnë dhe stadiumi nuk ka ndarje për tifozët mysafirë”, ka shkruar një prej tyre.

Stadiumi Vallecano nuk përmbush plotësisht standardet e UEFA-s për sigurinë, pasi mungon ndarja fizike e tribunave. Megjithatë, organi qeverisës evropian miratoi zhvillimin e ndeshjes në këtë impiant, ndërsa klubi ka kontraktuar edhe roje private për të ruajtur zonën e tifozëve vizitorë.

Lexo edhe :  “Vinicius Junior dhe Cole Palmer do transferohen te Tottenham”

Përplasje ideologjike në horizont

Rreziku shtohet nga fakti se ultrasit e Shkëndijës, të deklaruar antikomunistë dhe me prirje të djathta ekstreme, përballen me “Bukaneros de Vallecas”, një grupim i njohur për lidhjet me të majtën ekstreme. Thirrjet për konfrontime tashmë qarkullojnë në rrjetet sociale, duke ngritur frikën për incidente të mundshme para dhe pas ndeshjes./e.t